SHBA-ja me mesazh të fuqishëm pas goditjes së Iranit
Sh.Ç|RTKlive
Pas goditjes së tri objekteve bërthamore të Iranit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë shpalosur detaje nga planifikimi i operacionit dhe janë dhënë mesazhe të fuqishme ndaj Iranit.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë se sulmet ushtarake amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit ishin një sukses i jashtëzakonshëm dhe dërrmues, që kanë shkatërruar plotësisht ambiciet bërthamore të Teheranit.
“Kur Trump flet, bota duhet të dëgjojë”, ka thënë Hegseth, duke vënë theksin në paralajmërimet e presidentit amerikan Donald Trump, ndaj Iranit për armët bërthamore.
Ai ka theksuar se SHBA-ja ka shkatërruar programin bërthamor iranian, duke thënë Trump e bëri atë që “shumë presidentë ëndërronin, por nuk mundën”.
Hegseth ka deklaruar se çdo akt hakmarrjeje nga Irani kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të përballej me forcë shumë më të fuqishme se sa ajo që është treguar në orët e para të së dielës kundër tri objekteve bërthamore.
“Presidenti Trump ka thënë ‘jo armë bërthamore’, ai ka kërkuar paqe dhe Irani duhet ta ndjekë këtë rrugë...Irani do të tregohej i zgjuar nëse do t’i merrte seriozisht këto fjalë, sepse ai vërtetë i mendon ato”, ka thënë Hegseth.
Kurse shefi i shtatmadhorisë së SHBA-së, Dan Caine, ka thënë se sulmi i SHBA-së ndaj objekteve bërthamore në Iran, ishte një mision shumë i klasifikuar që shumë pak njerëz e dinin për të.
Ai ka treguar se shtatë bombarduesit B-2 ishin të përfshirë në fluturimin 18-orësh në zonën e synuar.
Pasi bombarduesit arritën në hapësirën ajrore iraniane, një nëndetëse amerikane lëshoi dhjetëra raketa lundruese “Tomahawk” kundër objektivave kryesore në centralin bërthamor të Isfahanit.
Gjithsej mbi 125 avionë u përfshinë, në mesin e tyre bombardues B-2, cisterna furnizimi me karburantë, aeroplanë zbulimi dhe avionë luftarakë. Duke fluturuar nga një bazë në Missouri, misioni ishte më i gjati me B2 që nga sulmi pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA.
Sipas tij, në këtë mision kishte një operacion mashtrimi ku bombardues u dërguan në Paqësor si “karrem”.
SHBA-ja ka sulmuar tri objekte bërthamore në Iran. Janë sulmuar objektet Fordoë, Natanz dhe Esfahan.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) i Iranit ka thënë se përgjigjja e tij ndaj sulmeve të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore iraniane do të "shkaktojë keqardhje të thellë", raporton CNN.























