SHBA-të ftojnë Kinën të ndalojë Iranin mbylljen e Ngushticës së Hormuzit
M.M./ RTKlive
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i ka bërë thirrje Kinës të parandalojë Iranin mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë.
Komentet e tij erdhën pasi televizioni shtetëror iranian, Press TV, raportoi se Parlamenti kishte miratuar një plan për të mbyllur Ngushticën, por shtoi se vendimi përfundimtar i takon Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare.
Çdo ndërprerje e furnizimit me naftë do të kishte pasoja të thella për ekonominë. Kina në veçanti është blerësi më i madh në botë i naftës iraniane dhe ka një marrëdhënie të ngushtë me Teheranin.
Çmimet e naftës u rritën pas sulmit të SHBA-së ndaj centraleve bërthamore iraniane, me çmimin e naftës së papërpunuar Brent që arriti nivelin më të lartë në pesë muaj.
"Unë e inkurajoj qeverinë kineze në Pekin t'i telefonojë ata (Iranin) për këtë, sepse ata varen shumë nga Ngushtica e Hormuzit për naftën e tyre", kishte thënë Marco Rubio në një intervistë me Fox News të dielën.
"Nëse ata [i mbyllin Ngushticat]... kjo do të jetë vetëvrasje ekonomike për ta. Dhe ne kemi mundësi për t'u marrë me këtë, por edhe vendet e tjera duhet ta shqyrtojnë këtë. Do të dëmtonte ekonomitë e vendeve të tjera shumë më keq se tonat", ka thënë Rubio.
Rreth 20% e naftës botërore kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit, me prodhuesit kryesorë të naftës dhe gazit në Lindjen e Mesme që përdorin rrugën ujore për të transportuar energji nga rajoni.
Çdo përpjekje për të ndërprerë operacionet në ngushticë mund të rrisë ndjeshëm çmimet globale të naftës.
Ato u rritën në nivelin më të lartë që nga janari, me çmimin e naftës së papërpunuar Brent që arriti në 78.89 dollarë për fuçi që nga ora 23:22 e së dielës.
"SHBA-të tani janë pozicionuar me një qëndrim mbrojtës të fortë në rajon për t'u përgatitur për çdo kundërsulm të Iranit. Por rreziku për çmimet e naftës është se situata mund të përshkallëzohet më tej", tha Saul Kavonic, drejtor i Kërkimeve të Energjisë në MST Financial.
Kostoja e naftës së papërpunuar ndikon në gjithçka, nga sa kushton të mbushësh makinën tënde deri te çmimi i ushqimit në supermarket.
Kina në veçanti blen më shumë naftë nga Irani, sesa çdo vend tjetër, me importet e saj të naftës nga Irani që tejkaluan 1.8 milion fuçi në ditë, muajin e kaluar, sipas të dhënave nga firma e ndjekjes së anijeve Vortexa.
Ekonomitë e tjera të mëdha aziatike, përfshirë Indinë, Japoninë dhe Korenë e Jugut, gjithashtu mbështeten shumë në naftën bruto që kalon nëpër Ngushticë.
























