Oklahoma City në majat e NBA-së
F.B/RTKLive
Oklahoma City Thunder ka shkruar histori në NBA, duke fituar titullin e parë kampion që nga zhvendosja nga Seattle në vitin 2008.
Thunder mbylli një sezon të jashtëzakonshëm duke mposhtur Indiana Pacers me rezultat 103-91 në ndeshjen e shtatë dhe vendimtare të serisë finale.
Në këtë ndeshje, edhe njëherë spikati ylli i skuadrës, Shai Gilgeous-Alexander, i cili u shpall edhe MVP i finaleve falë një performance dominuese me 29 pikë dhe 12 asistime.
Ai udhëhoqi ekipin drejt suksesit me qetësi dhe vendosmëri, duke konfirmuar statusin e tij si një nga lojtarët më të mirë të kampionatit.
Indiana Pacers u përball me një goditje të madhe në fillim të ndeshjes, kur Tyrese Haliburton, lideri i ekipit, pësoi një lëndim të rëndë – këputje të tendinës së Akilit – që e detyroi të largohej nga parketi mes lotësh në çerekun e parë.
Thunder përfunduan sezonin e rregullt me një bilanc mbresëlënës prej 68 fitore dhe 14 humbjesh, i pesti më i mirë në historinë e NBA-së.
Forma dhe stabiliteti i treguar gjatë gjithë sezonit u kurorëzua me triumf në finalen e madhe, duke kthyer lavdinë në Oklahoma City.























