Trump reagon pas sulmit iranian: Përgjigje shumë e dobët, koha për paqe
BKT
Rajoni dhe Bota

Trump reagon pas sulmit iranian: Përgjigje shumë e dobët, koha për paqe

RTKlive

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar pas sulmit të Iranit mbi bazën ajrore amerikane Al Udeid në Katar, duke e quajtur veprimin një “përgjigje shumë të dobët” dhe duke theksuar se SHBA ishte e përgatitur për këtë skenar.

Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump njoftoi se sulmi iranian u përballua me sukses dhe se nuk pati asnjë viktimë. “Irani i është përgjigjur zyrtarisht zhdukjes që i bëmë objekteve të tyre bërthamore me një përgjigje shumë të dobët, të cilën ne e prisnim dhe e kemi përballuar në mënyrë shumë efektive”, shkroi Trump.

Sipas Trump, Irani lëshoi 14 raketa drejt bazës ajrore amerikane në Katar, prej të cilave 13 u rrëzuan nga sistemet mbrojtëse, ndërsa njëra devijoi në një drejtim “jo kërcënues”. Ai theksoi se nuk kishte asnjë të plagosur mes trupave amerikane dhe as civilë të dëmtuar në Katar.

“Pothuajse asnjë dëm nuk është bërë. Asnjë qytetar i Katarit nuk është vrarë ose plagosur”, shtoi Trump, duke falënderuar Iranin për njoftimin paraprak për sulmin, që i dha SHBA-ve kohë për të ndërmarrë masa mbrojtëse.

Në një mesazh të dytë, Trump u shpreh se shpreson që Irani të zgjedhë rrugën e paqes dhe harmonisë në rajon, duke theksuar se edhe Izraeli duhet të inkurajohet për të ndjekur të njëjtën rrugë.

“Ndoshta Irani tani mund të vazhdojë drejt paqes dhe harmonisë në rajon dhe unë do ta inkurajoj me entuziazëm Izraelin të bëjë të njëjtën gjë”, deklaroi ai.

Presidenti Trump gjithashtu falënderoi Emirin e Katarit për bashkëpunimin gjatë incidentit dhe përmbylli mesazhin e tij me fjalët: “Urime botë – është koha për paqe!”

Sulmi i Iranit erdhi pas një serie goditjesh ajrore amerikane gjatë fundjavës, të cilat kishin në shënjestër objekte të dyshuara bërthamore në territorin iranian. Përplasja ngriti tensionet në rajon, por përgjigjja e Teheranit – e konsideruar më shumë simbolike – nuk rezultoi në përshkallëzim të menjëhershëm ushtarak.

Sipas raportimeve nga AP dhe Reuters, SHBA kishte qenë në gatishmëri të lartë dhe sulmi u prit me një reagim të koordinuar dhe efektiv nga sistemet e mbrojtjes ajrore amerikane.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota