Inter Miami mohon largimin e Messit
F.B/RTKLive
Inter Miami ka reaguar zyrtarisht ndaj thashethemeve që kanë qarkulluar ditëve të fundit në lidhje me një largim të mundshëm të Lionel Messit.
Në media është përfolur për një interesim të fortë nga Al Hilal i Simone Inzaghit për yllin argjentinas, por klubi amerikan i MLS ka hedhur poshtë këto spekulime.
“Leo është nën kontratë deri në fund të vitit 2025. Realiteti është se të dyja palët janë të interesuara të vazhdojnë marrëdhënien. Ne po ndërmarrim hapat e nevojshëm me mentalitetin e duhur për ta bërë këtë të ndodhë”, thuhet në njoftimin e Inter Miamit.
Ky mesazh vjen si një sinjal i qartë se Lionel Messi nuk do të largohet nga klubi amerikan, të paktën jo përpara përfundimit të kontratës së tij.
Inter Miami duket se ka synim ta mbajë ikonën argjentinase në radhët e veta, duke theksuar vazhdimësinë dhe projektin afatgjatë që po ndërtojnë së bashku.
Messi, i cili së fundmi festoi 38-vjetorin e lindjes, ka qenë vendimtar për Inter Miamin që nga ardhja e tij, duke shënuar tashmë 50 gola në të gjitha garat me fanellën rozë.























