Numër rekord alarmesh për nxehtësinë në gjithë Evropën
BKT
Rajoni dhe Bota

Numër rekord alarmesh për nxehtësinë në gjithë Evropën

Flutura Bekqeli /RTK

Një numër rekord alarmesh për nxehtësinë janë në fuqi në gjithë Francën, ndërsa vendi dhe pjesë të tjera të Evropës jugore dhe lindore mbeten nën ndikimin e temperaturave ekstreme. Edhe vendet e Ballkanit gjithashtu janë duke u përballur me të nxehtin ekstrem me temperatura që në disa rajone kanë shkuar deri në 42 gradë celsius.

Gjashtëmbëdhjetë rajone franceze, përfshirë Parisin, janë vendosur në alarm të kuq, më i larti në vend, ndërsa 68 të tjera janë në alarm portokalli. Paralajmërime për nxehtësinë janë në fuqi gjithashtu për pjesë të Spanjës, Portugalisë, Italisë, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të Ballkanit, përfshirë Kroacinë. Si Spanja ashtu edhe Portugalia panë ditët e tyre më të nxehta të qershorit të regjistruara ndonjëherë gjatë fundjavës.

Gati 200 shkolla në të gjithë Francën janë mbyllur ose pjesërisht të mbyllura si pasojë e valës së të nxehtit, e cila ka përfshirë pjesë të Evropës për më shumë se një javë, por pritet të arrijë kulmin në mes të javës. Ndërkohë, 21 qytete italiane janë gjithashtu në gatishmërinë më të lartë, përfshirë Romën, Milanon dhe Venecia dhe Sardenja.

Në Gjermani, shërbimi meteorologjik i vendit paralajmëroi se temperaturat mund të arrijnë 38 gradë Celsius të martën dhe të mërkurën - temperatura potencialisht rekorde.

Vendet në dhe përreth Ballkanit gjithashtu janë duke u përballur me te nxehtin e fortë. Temperaturat në Greqi i janë afruar 40 gradë Celsius për disa ditë dhe qytetet bregdetare pranë kryeqytetit Athinë javën e kaluar shpërthyen në flakë që shkatërruan shtëpitë - duke i detyruar njerëzit të evakuohen. Në Turqi, ekipet e shpëtimit evakuuan më shumë se 50,000 njerëz - kryesisht nga qyteti turistik i Izmirit në perëndim të vendit - ndërsa zjarrfikësit vazhduan të shuanin qindra zjarre që kishin shpërthyer ditët e fundit.

Zjarre shpërthyen edhe në Kroaci, ku janë në fuqi paralajmërime për nxehtësi ekstreme për zonat bregdetare. Një alarm për temperaturë ekstreme u lëshua gjithashtu edhe për Malin e Zi fqinj. Një temperaturë rekord prej 38.8 gradë Celsius u regjistrua në Sarajevë, ndërkaq në Slloveni, temperatura më e lartë e qershorit u regjistrua të shtunën. Temperatura në Shkup, arriti në 42 gradë Celsius të premten - dhe pritet të vazhdojë në këtë interval.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota