Lufta Ukrainë-Rusi shënon përshkallëzim të ri
Hanife Osmani/ RTK
Një sulm me dron i Ukrainës në Rusi shënon një tjetër përshkallëzim të luftës, duke treguar se as territori i brendshëm rus nuk është më i paprekshëm, nga i cili mbeten të vdekur tre persona dhe dhjetëra të lënduar. Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për paqe mbeten të bllokuara mes mosbesimit të ndërsjellë dhe intensifikimit të luftimeve.
Një sulm ajror me dron i ndërmarrë nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës ka goditur qytetin rus të Izhevskut, mbi 1,000 kilometra larg kufirit me Ukrainën. Objektiv i sulmit ishte fabrika ushtarake Kupolë e njohur për prodhimin e sistemeve raketore tokë-ajër si Tor dhe Osa, si dhe teknologjive të tjera të mbrojtjes ajrore.
Sipas autoriteteve ruse, sulmi rezultoi me tre të vdekur dhe 35 të plagosur, prej të cilëve dhjetë në gjendje të rëndë. Guvernatori i Udmurtisë, Aleksandr Brechalov, raportoi personalisht presidentit Vladimir Putin për sulmin, duke e cilësuar si një goditje serioze ndaj infrastrukturës ushtarake ruse.
Për zyrtarët ukrainas, sulmet e tilla përbëjnë pjesë të një strategjie të zgjeruar për të dobësuar kapacitetin ofensivë rus dhe për të treguar se as në thellësi të territorit të vet, Rusia nuk është më e paprekshme. Një burim i sigurisë ukrainase deklaroi se operacione të tilla “ulnin potencialin ofensivë të armikut dhe çrregullojnë zinxhirët e prodhimit ushtarak rus”.
Në të njëjtën kohë, Rusia ka vazhduar ofensivën në Ukrainë. Fundjava solli një valë të re bombardimesh, me 537 raketa dhe dronë që goditën qytete të ndryshme, përfshirë kryeqytetin Kiev dhe qytetin perëndimor Lviv.
Presidenti Zelensky, në përgjigje të sulmeve, nderoi pas vdekjes pilotin e F-16, kolonel Maksym Ustymenko, i cili u vra gjatë përpjekjes për të ndalur një sulm ajror rus.
Ndërkohë që lufta në terren vazhdon, përpjekjet diplomatike kanë mbetur në vendnumëro. Dy raunde bisedimesh për armëpushim, të inicuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, nuk kanë sjellë ndonjë marrëveshje konkrete.
Presidenti rus Putin ka shprehur gatishmëri për negociata të reja, por pretendon se propozimet ruse dhe ato ukrainase janë “krejtësisht të kundërta”. Zelensky, nga ana e tij, mbetet skeptik, duke akuzuar Putinin se po shtyn diplomacinë për të fituar kohë dhe për të përgatitur operacione të reja, madje edhe jashtë kufijve të Ukrainës.























