Trump bën thirrje që Hamasi të pranojë armëpushimin 60-ditor me Izraelin
BKT
Rajoni dhe Bota

Trump bën thirrje që Hamasi të pranojë armëpushimin 60-ditor me Izraelin

B.H./RTKlive

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i bëri thirrje militantëve të Hamasit të bien dakord me një “propozim përfundimtar” për një armëpushim 60-ditor në Gazë.

Trump deklaroi se Hamasi duhet të pranojë marrëveshjen pasi "nuk do të bëhet më mirë — VETËM DO TË PËRKEQËSOHET" dhe shpjegoi se përfaqësues të Katarit dhe Egjiptit do t’ia dorëzojnë këtij grupi këtë propozim.

Gjithashtu, Trump bëri të ditur se gjatë armëpushimit Izraeli "do të punojë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës", duke përfshirë edhe shkëmbimin e pengjeve me Hamasin.

Ai tha se përfaqësuesit e tij, i dërguari i posaçëm Steve Witkoff, sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe zëvendëspresidenti JD Vance janë takuar në Uashington me Ron Dermerin, këshilltarin e lartë të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, për këtë çështje.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi më 30 qershor se administrata Trump është në “komunikim të vazhdueshëm” me qeverinë izraelite, duke e konsideruar përfundimin e konfliktit në Gazë si prioritet kryesor.

Armëpushimi parashikon lirimin e gjysmës së pengjeve nga Hamasi në këmbim të pengjeve dhe eshtrave palestinezë, ndërsa Trump shpreson që marrëveshja për pengjet të nënshkruhet javën e ardhshme, para takimit të tij të planifikuar më 7 korrik me Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë.

Hamas deklaroi se është i gatshëm të lirojë pengjet e mbetura në çdo marrëveshje për të ndaluar luftën, por Izraeli insiston që lufta mund të përfundojë vetëm nëse Hamasi çarmatoset dhe shpërbëhet, një kërkesë që Hamasi e refuzon.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota