Euro 2025 për Femra nis me fitore të Finlandës ndaj Islandës
BKT
Sport

Euro 2025 për Femra nis me fitore të Finlandës ndaj Islandës

Uran Krasniqi / RTKLive

Finlanda në futboll e ka nisur mbarë Kampionatin Evropian për Femra Euro 2025, duke e mposhtur Islandën me rezultat 1:0 në ndeshjen hapëse të Grupit A që është zhvilluar në Thun të Zvicrës.

Heroina e ndeshjes ka qenë Katariina Kosola, e cila e ka shënuar golin e vetëm në pjesën e dytë, pas një aksioni të mirë që është ndihmuar edhe nga përjashtimi i një lojtare të Islandës.

Në pjesën e parë, Finlanda ka qenë më e rrezikshme, me Kosola që ka provuar disa herë të shënojë, por pa sukses. Edhe Islanda ka pasur disa raste, por është ndalur nga pritjet e portieres finlandeze Anna Koivunen dhe ndërhyrjet vendimtare të mbrojtjes.

Në fillim të pjesës së dytë, Islanda e ka humbur kapitenen Glodis Viggosdottir për shkak të lëndimit, e më pas ka mbetur edhe me një lojtare më pak, pasi Hildur Antonsdottir është ndëshkuar me karton të kuq pas dy të verdhëve.

Finlanda e ka shfrytëzuar këtë epërsi numerike dhe në minutat e fundit, Kosola ka shënuar, duke vendosur fatin e takimit.

Islanda vazhdon me formën e dobët, me vetëm një fitore në dymbëdhjetë ndeshjet e fundit.

Ky është triumfi i parë i Finlandës në fazën finale të këtij turneu që nga viti 2009.

Ndeshjen e radhës, Finlanda e luan të dielën ndaj Norvegjisë në qytetin Sion, ndërsa në xhiron e fundit do të përballet me Zvicrën, vendin organizator.