Mediat ruse: Ministri qëlloi veten me armë zjarri
BKT
Rajoni dhe Bota

Mediat ruse: Ministri qëlloi veten me armë zjarri

Bardhyl Bajrami /RTK

Në periferi të Moskës, ish-ministri i Transportit, Roman Starovoit, është gjetur i vdekur në veturën e tij, me një plagë nga armë zjarri në kokë. Disa orë më herët, ai ishte shkarkuar nga presidenti Vladimir Putin, pa u dhënë ndonjë arsye zyrtare për vendimin.

Ish-ministri rus i Transportit dhe ish-guvernatori i rajonit Kursk, Roman Starovoit, është gjetur i vdekur sot në veturën e tij në periferi të Moskës, me një plagë nga armë zjarri në kokë.

Ai është gjetur disa orë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi dekretin për shkarkimin e tij nga posti i ministrit, pa dhënë ndonjë arsye zyrtare për këtë vendim.

Sipas Komitetit Hetimor, besohet se Roman Starovoit ka kryer vetëvrasje.

I pyetur nga gazetarët lidhur me shkarkimin e tij, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Starovoit nuk është shkarkuar për shkak të mungesës së besimit, por nuk dha detaje të tjera.

Mediat ruse kanë raportuar se Starovoit pritej të arrestohej dhe të merrej në pyetje pas deklaratës së ish-zëvendësguvernatorit të rajonit Kursk, Alexei Smirnov, i cili e akuzoi për përvetësim të fondeve të ndara për ndërtimin e sistemeve mbrojtëse në rajon.

Starovoit ishte guvernator i rajonit Kursk nga shtatori i vitit 2019 deri në maj 2024, kur u emërua ministër i Transportit, ndërsa posti i tij si guvernator u mor nga Alexei Smirnov.

Ministër i ri i Transportit është emëruar Andrey Nikitin, zëvendësi i Roman Starovoit. Shkarkimi i tij ndodhi në një kohë me probleme të mëdha në sektorin e transportit ajror në vend.

Agjencia Federale për Transportin Ajror njoftoi se vetëm gjatë fundjavës janë anuluar 485 fluturime, 88 janë devijuar dhe 1.900 janë shtyrë për të hënën.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota