Rrjedhja e të dhënave ekspozon agjentët dhe ushtarët britanik në Afganistan
RTKlive
Një rrjedhje e rëndë e të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes në Britani ka vënë në rrezik dhjetëra mijëra persona, përfshirë agjentë të MI6, ushtarë të forcave speciale (SAS), deputetë dhe zyrtarë të lartë shtetërorë, raporton The Independent.
Gabimi ndodhi në shkurt 2022, kur një zyrtar i ministrisë ekspozoi pa dashje informacionet e mijëra afganëve që kishin kërkuar të largoheshin drejt Britanisë, për shkak të lidhjeve të tyre me forcat britanike dhe rrezikut nga talebanët.
Si pasojë, rreth 16,000 afganë janë evakuuar në Britani, ndërsa rreth 8,000 të tjerë janë ende në pritje. Skandali çoi në vendosjen e një super-urdhri ndalimi dyvjeçar, që e ndalonte publikimin e çdo detaji për rrjedhjen.
Së fundmi, është zbuluar se bashkë me të dhënat e afganëve janë ekspozuar edhe emrat e më shumë se 100 zyrtarëve britanikë, përfshirë agjentë të inteligjencës, ministra, oficerë të lartë ushtarakë dhe deputetë, raporton The Independent.
Komiteti i Inteligjencës dhe Sigurisë ka kërkuar që të marrë menjëherë dokumentet mbi të cilat u bazua ndalimi i publikimit. Kryetari i komitetit, Lord Beamish, ka paralajmëruar se nuk ka arsye ligjore për t’i mohuar informacionin deputetëve.
Ish-ministri britanik i forcave të armatosura, James Heappey, tha se ishte “shkatërruese” të zbulohej një gabim i tillë dhe kritikoi Ministrinë e Mbrojtjes për vendimmarrjen ndaj ish-forcave speciale afgane, te njohura si “Triples”, të cilave u ishte refuzuar strehimi në Britani, pavarësisht shërbimit të tyre përkrah trupave britanike.























