Shtëpia e Bardhë: Trump është diagnostikuar me një sëmundje të venave
RTK
Donald Trump vuan nga një sëmundje kronike e venave, njoftoi Shtëpia e Bardhë të enjten, pas ditësh spekulimesh lidhur me fotografitë që tregonin mavijosje në dorën e presidentit amerikan.
Pas një ënjtjeje së fundmi në këmbët e tij, Trump i nënshtrohet një "ekzaminimi gjithëpërfshirës" që përfshinte teste vaskulare, sipas sekretarit të shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, transmeton BBC.
Leavitt tha se dëmtimi në dorën e Trump-it ishte i lidhur me "dëmtime të indeve nga shtrëngimet e shpeshta të duarve" ndërsa ai merr aspirinë, e cila është "pjesë e një regjim standard parandalues kardiovaskular".
Trump, 79 vjeç, ka përmendur rregullisht shëndetin e tij të mirë dhe një herë është përshkruar si "presidenti më i shëndetshëm që ka ekzistuar ndonjëherë".
Gjendja vaskulare që është zbuluar së fundmi tek presidenti quhet insuficiencë kronike venoze, e cila ndodh kur venat e këmbëve dështojnë të pompojnë gjakun drejt zemrës, duke bërë që gjaku të grumbullohet në pjesët e poshtme të këmbëve, të cilat më pas mund të fryhen.
Venat dhe valvulat "shtyjnë gjakun lart dhe jashtë nga këmba" dhe përsëri drejt zemrës, tha për BBC-në Dr. Meryl Logan, profesoreshë ndihmëse e kirurgjisë vaskulare në Universitetin e Teksasit në Austin.
Gjakut që rrjedh nga këmbët drejt zemrës i duhet të lëvizë kundër gravitetit, gjë që e bën këtë proces më të vështirë.
"Insuficienca kronike venoze ndodh kur ato vena dhe valvula nuk funksionojnë dhe gjaku shkon prapa nëpër këmbë," shtoi ajo.























