Drita eliminohet nga Champions League, garën e vazhdon në Europa League
Uran Krasniqi/RTKLive
(E plotësuar, 21:58) - Ëndrra e Dritës për një kualifikim historik në Champions League është shuar të martën mbrëma në “Fadil Vokrri”, ku skuadra nga Gjilani është mposhtur sërish nga Copenhagen, kësaj radhe me rezultat minimal 0-1.
Me këtë humbje, Drita është eliminuar nga gara më prestigjioze evropiane me rezultat të përgjithshëm 0-3, pasi ndeshjen e parë në Danimarkë e kishte humbur 2-0.
Ndeshja e kthimit është vendosur që në pjesën e parë.
Danezët kanë kaluar në epërsi në minutën e dyzet e tretë me golin e Andreas Cornelius, i cili ka realizuar me një goditje precize nga afërsia pas një krosimi të saktë. Gjyqtari portugez Miguel Nogueira e ka rishikuar aksionin për një pozicion të mundshëm jashtë loje nëpërmjet sistemit VAR, por përfundimisht e ka pranuar golin si të rregullt.
Vetëm pak minuta më herët, Drita është përballur me një tjetër goditje, kur Balaj është ndëshkuar me karton të kuq, duke e lënë skuadrën me një lojtar më pak nga minuta e njëzet e shtatë.
Pas eliminimit nga Champions League, Drita do të vazhdojë garën në Europa League, ku do të përballet me humbësin e çiftit FCSB – Shkëndija.
Drita në disavantazh dhe me një lojtar më pak në pjesën e parë
Drita e ka mbyllur pjesën e parë të ndeshjes kundër Copenhagenit në disavantazh 0-1.
Ndeshja po zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve për Champions League.
Skuadra mysafire ka kaluar në epërsi në minutën e dyzet e tretë, kur ka realizuar Andreas Cornelius. Gjyqtari portugez Miguel Nogueira e ka shikuar golin përmes sistemit VAR për një mundësi pozicioni jashtë loje gjatë aksionit, por megjithatë e ka pranuar atë.
Ndeshja për skuadren kosovare është bërë edhe më e vështirë në minutën e njëzet e shtatë, kur Liridon Balaj është ndëshkuar me karton të kuq.
Pjesa e dytë pritet të jetë vendimtare për shpresat e Dritës, e cila ndeshjen në transfertë e kishte humbur me rezultat 2-0.























