Cunami arrin në brigjet amerikane, s’ka viktima apo dëme të mëdha
BKT
Foto: CNN
Rajoni dhe Bota

Cunami arrin në brigjet amerikane, s’ka viktima apo dëme të mëdha

Luan Qorraj / RTK

Zyrtarët në SHBA kanë bërë të ditur se valët e cunamit të nxitur nga një termet i fuqishëm që goditi pranë brigjeve të Rusisë, kanë goditur brigjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që gjinden në Oqeanin e qetë.

Ai nuk ka shkaktuar viktima apo dëme masive. Njëkohësisht autoritetet amerikane kanë thënë se më nuk ekziston rrezik nga ndonjë goditje e madhe pasi që cunami ka humbur fuqinë e tij.

Autoritetet në Rusi dhe Japoni, ku u evakuan më shumë se 2 milionë banorë të brigjeve bregdetare, kanë thënë se pas goditjeve të fuqishme fillestare, rreziku më i madh nga dallgët masive ka kalur.

Megjithatë duket se goditjet e para kanë shkaktuar dëme në vendbanimet e ndryshme por deri më tani nuk ka njoftime për viktima eventuale.

Cunami në Oqeanin e Qetë u nxit nga termeti 8.8 në shkallën e rihterit i cili goditi 126 kilometra nga gadishulli Kamchatka në Rusi dhe sipas seizmologëve ka qenë tërmeti i pestë më i fuqishëm i shënuar ndonjëherë.

Edhe pse, sipas ekspertëve, më nuk ka rrezik nga dallgët gjigande, ata paralajmërojnë se rajoni ende mund të ballafaqohet me tërmete pasuese të cilat do të mund të shkaktojnë dëme në infrastrukturën e dobësuar prej tërmetit të parë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota