Siria formon komitet për të hetuar dhunën në Sweida
M.M./ RTKlive
Siria është zotuar të hetojë përplasjet në provincën jugore të Sweidës, të cilat muajin e kaluar lanë qindra të vrarë – episodi i dytë madhor i dhunës sektare që nga rrëzimi i liderit afatgjatë sirian Bashar al-Assad.
Në një dekret të datës 31 korrik, ministri i Drejtësisë Muzher al-Wais tha se një komitet prej shtatë anëtarësh – përfshirë gjyqtarë, avokatë dhe një zyrtar ushtarak – do të shqyrtojë rrethanat që çuan në “ngjarjet në Sweida” dhe do të raportojë brenda tre muajsh, raporton Reuters.
Komiteti do të hetojë sulmet dhe abuzimet e raportuara kundër civilëve dhe do të dërgojë në gjykatë këdo që provohet të ketë marrë pjesë në këto sulme.
Dhuna në Sweida nisi më 13 korrik mes luftëtarëve fisnorë dhe fraksioneve druze. Forcat qeveritare u dërguan për të qetësuar përplasjet, por gjakderdhja u përshkallëzua, dhe Izraeli kreu sulme ndaj trupave siriane në emër të komunitetit druz.
Druzët janë një pakicë që rrjedh nga Islami, me ndjekës në Siri, Liban dhe Izrael. Provinca e Sweidës është kryesisht e banuar nga druzët, por aty jetojnë edhe fise sunite, dhe komunitetet kanë pasur prej kohësh tensione mbi tokën dhe burimet e tjera.
Një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA-ja i dha fund luftimeve, të cilat kishin përfshirë qytetin e Sweidës dhe qytetet përreth për gati një javë.
Në muajin mars, qindra civilë alawitë u vranë pasi forcat e lidhura me qeverinë u vendosën në zonat bregdetare të Sirisë, pas një sulmi vdekjeprurës ndaj forcave të reja qeveritare nga milici ende të lidhura me Assad-in, i cili vetë i përket pakicës alawite.
Shtypja brutale e Assad-it ndaj protestave kundër tij në vitin 2011, të nisura nga shumica sunite e Sirisë, u kthye në një luftë gati 14-vjeçare. Udhëheqësit perëndimorë duan të sigurohen që qeveria e re, e drejtuar nga një grup islamist sunit me rrënjë në xhihadin global, të zhvillojë një tranzicion demokratik të rregullt.
Komiteti i ngritur pas masakrës së marsit muajin e kaluar referoi 298 persona të dyshuar për abuzime ndaj alawitëve në gjykatë.
Komiteti tha se nuk kishte gjetur prova që komandantët kishin urdhëruar trupat të kryenin shkelje, dhe se 265 persona ishin përfshirë në sulmin fillestar ndaj forcave qeveritare.























