Jemen, mbytet një anije me emigrantë, 68 persona të vdekur e 74 të zhdukur
BKT
Foto: IOM
Rajoni dhe Bota

Jemen, mbytet një anije me emigrantë, 68 persona të vdekur e 74 të zhdukur

V.Th / RTKLive

Një anije që transportonte 154 emigrantë nga Etiopia u përmbys të dielën në ujërat e Gjirit të Adenit, pranë provincës jugore Abyan në Jemen.

Ngjarja tragjike ka shkaktuar vdekjen e 68 personave, ndërsa 74 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, sipas njoftimit nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, një agjenci e Kombeve të Bashkuara.

Vetëm 12 persona mbijetuan, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në kushte të vështira për të lokalizuar të zhdukurit.

Anija, e mbingarkuar me emigrantë që përpiqeshin të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të Gjirit Persik përmes Jemenit, u fundos pranë bregut të Khanfarit, rreth orëve të para të mëngjesit. Shkaku i mbytjes mbetet ende i paqartë, por autoritetet dyshojnë për kushtet e dobëta të anijes dhe ngarkesën e tepërt.

“Kjo është një kujtesë tragjike e rreziqeve që përballin emigrantët dhe nevojës për veprim të përbashkët ndërkombëtar për të mbrojtur jetët e tyre”, ka thënë Abdusattor Esoev, përfaqësuesi i IOM në Jemen.

Autoritetet vendase dhe ekipet e IOM janë angazhuar në një operacion të gjerë shpëtimi, por përpjekjet janë penguar nga mungesa e pajisjeve dhe vështirësitë në terren.

Sipas raportimeve mediave botërore në vitin 2024, më shumë se 60,000 emigrantë mbërritën në Jemen, ndërsa në vitin 2023 kjo shifër ishte 97,200.

IOM apelon për ndihmë ndërkombëtare

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin ka bërë thirrje për: Rritjen e mbrojtjes për emigrantët, zhvillimin e sistemeve më të sigurta migrimi dhe luftimin e rrjeteve të trafikantëve.

“Duhet të ndalojmë normalizimin e vdekjeve në rrugët e migrimit. Asnjë njeri nuk duhet të humbasë jetën për shkak të mungesës së mundësive të sigurta”, thuhet në deklaratën e IOM.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota