Ukraina godet pesë avionë luftarakë rusë në bazën ajrore në Krime
BKT
Rajoni dhe Bota

Ukraina godet pesë avionë luftarakë rusë në bazën ajrore në Krime

M.M./ RTKlive

Forcat speciale të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) kanë ndërmarrë një operacion të suksesshëm gjatë natës në bazën ajrore ruse në Saki, në Krimenë e aneksuar, duke shënjestruar pesë avionë luftarakë dhe një depo armësh.

Sipas njoftimit zyrtar të SBU-së, gjatë sulmit u shkatërrua një avion luftarak Su-30SM, u dëmtua një tjetër i të njëjtit model, si dhe u goditën tre avionë bombardues Su-24. Përveç kësaj, dronët ukrainas arritën të godasin edhe një magazinë armësh të ushtrisë ruse.

“Operacioni special i ndërmarrë në Saki është një hap tjetër drejt dobësimit të aftësisë së armikut për të zhvilluar luftën e tij agresive kundër Ukrainës,” thuhet në deklaratën e SBU-së, raporton euronews.

Baza ajrore Saki ka një rëndësi të madhe strategjike për Rusinë, duke shërbyer për operacione të rregullta ajrore mbi Ukrainën, mbikëqyrje me radar, patrullim të zonës së Detit të Zi dhe shoqërim të bombarduesve me rreze të gjatë.

Ky operacion vjen në vazhdën e përpjekjeve të intensifikuara të Kievit për të goditur kapacitetet ajrore dhe detare të Rusisë. Në muajt e fundit, Ukraina ka shkatërruar disa anije luftarake ruse, përfshirë anijen zbarkuese Caesar Kunikov, anijen patrulluese Sergei Kotov dhe korvetën raketore Ivanovets, duke detyruar Rusinë të zhvendosë flotën e saj më larg Krimesë.

Më herët, më 1 qershor, Ukraina ndërmori operacionin masiv “Rrjeta e Merimangës”, duke goditur katër baza ajrore ruse në territorin e thellë të Rusisë me dhjetëra dronë, të cilët ishin fshehur në kamionë të vendosur në pika të ndryshme. Gjatë këtij sulmi u raportua se u dëmtuan 41 avionë rusë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota