20 të vdekur pas përmbysjes së kamionëve me ndihma në Gaza
Bardhyl Bajrami / RTK
20 persona kanë humbur jetën dhe mbi 30 të tjerë janë lënduar nga përmbysja e katër kamionëve me ndihma në Gazën Qendrore. Dje, në Rripin e Gazës kanë hyrë 26 kamionë me ndihma, prej të cilëve 20 kanë arritur të sigurt në destinacion, ndërkaq gjashtë janë plaçkitur nga turma njerëzish.
Lajmi është konfirmuar nga Mahmoud Basal, zëdhënësi i mbrojtjes civile të drejtuar nga Hamasi. Ai ka deklaruar se zona ku ndodhi ngjarja është nën kontrollin e forcave izraelite dhe se rrugët në atë rajon janë të dëmtuara dhe të rrezikshme.
Sipas një gazetari lokal, incidenti ka ndodhur në juglindje të qytetit Deir al-Balah, në Gazën Qendrore, pak pas orës 22:00 sipas kohës lokale. Një turmë njerëzish ishte drejtuar drejt kamionëve dhe kishte hipur mbi ta, duke bërë që shoferët të humbnin kontrollin, edhe si pasojë e gjendjes së rënduar të rrugëve.
Ndërkohë, Jehad Isleim, zëdhënësi i Shoqatës së Transportuesve Privatë në Gazë, ka deklaruar se dje në territor kanë hyrë 26 kamionë komercialë, prej të cilëve 20 kanë arritur në destinacion të sigurt, ndërsa gjashtë janë plaçkitur.
Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë vrarë 128 palestinezë nga forcat ushtarake izraelite, ndërsa 771 të plagosur kanë kërkuar ndihmë në spitalet e Gazës. Sipas ministrisë, 87 persona janë vrarë gjatë përpjekjes për të marrë ndihma, ndërsa 570 janë lënduar. Numri i përgjithshëm i viktimave që nga fillimi i luftës ka arritur në 61,158.























