Lavrov: S`ka takim të planifikuar Putin - Zelensky
B.H./RTKlive
Kryediplomati i Rusisë tha të premten se nuk është planifikuar asnjë takim mes presidentit Vladimir Putin dhe homologut ukrainas Volodymyr Zelenskyy, duke hedhur dyshime të reja mbi përpjekjet e presidentit Donald Trump për një samit që do t’i jepte fund luftës.
“Putini është i gatshëm të takohet me Zelenskyyn kur agjenda të jetë gati për një samit, dhe kjo agjendë nuk është aspak gati”, tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov për moderatoren e NBC News, “Meet the Press”, Kristen Welker.
Shtëpia e Bardhë ka punuar për të siguruar një vend dhe datë të samitit pas takimit të Trumpit me Putinin në Alaskë dhe bisedimeve të mëvonshme me Zelenskyyn dhe liderët evropianë në Washington. Por Rusia ka sinjalizuar se nuk ka ngutje për një takim dypalësh Putin-Zelenskyy dhe të enjten nisi një nga sulmet më të mëdha ajrore të luftës, duke goditur objektiva në gjithë Ukrainën, përfshirë një biznes amerikan të elektronikës.
“Presidenti Putin e tha qartë se ai është i gatshëm të takohet, me kusht që ky takim të ketë vërtet një agjendë, një agjendë presidenciale”, tha Lavrov. Ai sugjeroi se Ukraina është ajo që po pengon progresin drejt një marrëveshjeje paqeje.























