Kina refuzon bisedimet për armët bërthamore me SHBA-në dhe Rusinë
M.M. /RTKlive
Kina ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, pasi presidenti amerikan Donald Trump shprehu shpresën që Pekini do t’i bashkohej negociatave.
"Mendoj se bisedimet për armët bërthamore është një objektiv i madh... Por Rusia është e gatshme ta bëjë dhe mendoj se edhe Kina do të jetë e gatshme", tha Trump të hënën, duke bërë thirrje për zvogëlimin e armëve bërthamore të dy vendeve.
"Nuk mund të lejojmë përhapjen e armëve bërthamore. Duhet ta ndalim këtë".
Por zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun, tha të mërkurën se "Kina dhe SHBA-ja nuk janë aspak në të njëjtin nivel sa i përket kapaciteteve bërthamore. Vendet me arsenalin më të madh bërthamor duhet të marrin me përgjegjësi të veçantë dhe kryesore çështjen e çarmatimit bërthamor".
Pekini thotë se e mbështet çarmatimin në parim, por vazhdimisht ka refuzuar ftesat nga Uashingtoni për t’u bashkuar me bisedimet me Moskën për reduktimin e arsenaleve bërthamore.
Kina theksoi gjithashtu se forcat e saj bërthamore ruhen në "nivelin minimal të nevojshëm për sigurinë kombëtare dhe nuk përfshihen në një garë armatimesh me asnjë vend".
Sipas të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqe në Stokholm (SIPRI) për vitin 2024, SHBA zotëron 3.708 koka bërthamore, ndërsa Rusia 4.380. Kina ka 500, ndërsa më pas vijnë Franca (290) dhe Britania e Madhe (225).
SHBA-ja dhe Rusia së bashku zotërojnë gati 90% të arsenalit bërthamor botëror. Megjithatë, Rusia u tërhoq nga traktati i fundit për kontrollin e armëve në vitin 2023.
Në atë vit, presidenti rus, Vladimir Putin, anuloi zyrtarisht ratifikimin nga Rusia të Traktatit të Ndalimit të Plotë të Provave Bërthamore (CTBT), duke thënë se ky veprim do të “pasqyronte” qëndrimin e Uashingtonit, i cili e kishte nënshkruar por kurrë nuk e kishte ratifikuar atë.























