Kalon mbi 800 numri i të vdekurve nga tërmeti në Afganistan
RTKlive
(E plotësuar) Një tërmet i fuqishëm në Afganistanin lindor ka shkaktuar mbi 800 viktima dhe ka lënë të paktën 2,500 të plagosur, duke shkatërruar dhjetëra fshatra, njoftoi të hënën zëdhënësi i qeverisë së talebanëve, Zabihullah Mujahid.
Sipas tij, pjesa më e madhe e viktimave është shënuar në provincën Kunar, ndërsa në Nangarhar kanë humbur jetën 12 persona dhe janë plagosur 255 të tjerë.
Tërmeti me magnitudë 6.0 goditi disa qytete të provincës Kunar të dielën mbrëma, pranë qytetit Jalalabad në Nangarhar. Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), epiqendra ishte rreth 27 kilometra në verilindje të Jalalabadit, në një thellësi prej vetëm 8 kilometrash. Tërmetet më të cekëta zakonisht shkaktojnë dëme më të mëdha, raporton AFP.
Gjatë natës rajoni u përfshi edhe nga disa pasgoditje, përfshirë një lëkundje të fuqishme me magnitudë 5.2 rreth orës 4 të mëngjesit. Goditja e parë u ndje për disa sekonda nga Kabuli deri në Islamabad, kryeqyteti i Pakistanit, rreth 370 kilometra larg.
Tërmet i fuqishëm në Afganistan, të paktën 610 të vdekur
Një tërmet në lindje të Afganistanit ka shkaktuar të paktën 610 viktima, ka lënduar 1,300 persona dhe ka shkatërruar dhjetëra fshatra, ka njoftuar të hënën një zëdhënës i qeverisë së talibanëve.
Tërmeti me magnitudë 6.0 goditi mbrëmjen e së dielës disa qytete në provincën Kunar, pranë qytetit Jalalabad në provincën fqinje Nangarhar, duke shkaktuar dëme të mëdha.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së, tërmeti ndodhi në orën 23:47 sipas kohës lokale, me epiqendër 27 kilometra në lindje-verilindje të qytetit Jalalabad dhe vetëm pesë kilometra në thellësi. Tërmetet e cekëta zakonisht shkaktojnë më shumë dëme.























