Trump takon liderët e BE-së në SHBA, temë bisede situata në Ukrainë
Dardan Ramabaja/ RTK
Udhëheqësit evropianë pritet të udhëtojnë sërish në SHBA për të diskutuar për luftën në Ukrainë, ka njoftuar presidenti amerikan Donald Trump.
Donald Trump ka thënë se udhëheqësit evropianë do të vizitojnë Shtetet e Bashkuara të hënën ose të martën për të diskutuar mënyrat për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ai shtoi se së shpejti do të flasë edhe me Presidentin rus Vladimir Putin, duke sinjalizuar se administrata e tij ishte gati të kalonte në një fazë të dytë të sanksioneve ndaj Moskës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se sanksionet ishin "ideja e duhur" dhe u bëri thirrje vendeve evropiane të ndalojnë blerjen e energjisë ruse.
Ndërsa Rusia kreu bombardimet e saj më të mëdha ajrore në Ukrainë që kur nisi , duke vrarë katër persona dhe duke goditur ndërtesën kryesore qeveritare të Ukrainës në Kiev për herë të parë.
Pas sulmit, gjatë të cilit Rusia qëlloi të paktën 810 dronë dhe 13 raketa drejt Ukrainës, Trump tha se "nuk ishte i kënaqur me të gjithë situatën".
"Disa udhëheqës evropianë do të vijnë individualisht në vendin tonë të hënën ose të martën", ka thënë Trump, ndërsa nuk ishte e qartë se kujt po i referohej Trump.
Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës që kur Trump dhe Putin mbajtën një samit në Alaska muajin e kaluar.
Duke folur për ABC News, Zelensky tha se partnerët evropianë që vazhdojnë të blejnë naftë dhe gaz rus "nuk ishte e drejtë".
Zelensky gjithashtu përshëndeti planet e Trump për të vendosur tarifa dytësore për vendet që tregtojnë me Rusinë - që synojnë të pengojnë aftësinë e Moskës për të financuar luftën.
Rusia ka shitur rreth 985 miliardë dollarë naftë dhe gaz që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në mars të vitit 2022, sipas Qendrës për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër.
Blerësit më të mëdhenj kanë qenë Kina dhe India. BE-ja ka ulur ndjeshëm - por nuk ka ndaluar plotësisht - blerjet e energjisë ruse. Në qershor, Brukseli paraqiti plane për t'i dhënë fund të gjitha blerjeve deri në vitin 2027.























