Franca në një krizë të re politike, Bayrou humb votëbesimin e Parlamentit
Hanife Osmani / RTK
Franca është zhytur në një krizë të re politike pas rrëzimit të kryeministrit François Bayrou në një votë mosbesimi në Asamblenë Kombëtare.
Me 364 vota kundër 194, qeveria e tij humbi besimin e deputetëve, duke e detyruar atë të dorëzojë dorëheqjen te presidenti Emmanuel Macron.
Ky i fundit tashmë përballet me një dilemë të madhe: të emërojë një kryeministër të ri nga e djathta qendrore, të hapet ndaj së majtës ose të shpërndajë parlamentin për zgjedhje të reja.
Rënia e Bayrou erdhi pas përpjekjes për të mbrojtur politikat shtrënguese për borxhin publik prej 3.4 trilionë eurosh, përmes një buxheti të vitit 2026 që parashihte shkurtime të ashpra. Por opozita e majtë dhe e djathta ekstreme u bashkuan për ta rrëzuar, duke e akuzuar atë dhe Macron për krizën aktuale ekonomike dhe sociale.
Analistët e kanë cilësuar lëvizjen e Bayrou si “vetëvrasje politike”, pasi nuk kishte domosdoshmëri të futej në këtë betejë të parakohshme.
Ndërkohë, vendi përgatitet për protesta dhe mobilizime sindikale kundër politikave të Macron, ndërsa pasiguria politike thellohet. Franca pritet të ketë kryeministrin e pestë brenda më pak se dy vitesh, një rekord që tregon gjendjen e luhatshme të mandatit të dytë presidencial, sipas analistëve.























