Sulmi izraelit në Katar trondit Gjirin dhe teston lidhjet me SHBA-në
BKT
Rajoni dhe Bota

Sulmi izraelit në Katar trondit Gjirin dhe teston lidhjet me SHBA-në

M.M./ RTKlive

Izraeli ka goditur një ndërtesë ku po mbahej një takim i udhëheqjes politike të mërguar të Hamasit në kryeqytetin e Katarit, Doha.

Që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit, që ndezi luftën në Gaza, ushtria izraelite ka synuar liderë të Hamasit edhe jashtë vendit.

Ndërsa Izraeli e konsideron Teheranin dhe Bejrutin si objektiva të pranueshme, ishte përmbajtur nga goditja e zyrës politike të Hamasit në Katar, një aleat kyç i SHBA-së dhe ndërmjetësuesi kryesor, të cilit udhëheqja izraelite ishte mbështetur si kanal i tërthortë komunikimi me grupin militant palestinez, raporton AP.

Të martën, Izraeli bëri një bast të rrezikshëm, thonë analistët, duke helmuar bisedimet për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, duke shkaktuar tronditje politike në rajon dhe duke ngritur dyshime mbi garancitë historike të sigurisë që SHBA ka dhënë për aleatët arabë të Gjirit.

Sulmi nuk dha menjëherë rezultat për Izraelin. Hamasi pretendoi se udhëheqja e tij e lartë mbijetoi.

“Ky akt është një tronditje më e gjerë për rendin ndërkombëtar, që ngre pyetje mbi sovranitetin dhe mbi lirinë e pakufizuar që i është dhënë Izraelit,” tha Sanam Vakil, drejtoreshë e Programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Chatham House. “Besueshmëria e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme do të vihet në pikëpyetje”, shtoi ajo.

Dijenia e SHBA për sulmin trazoi aleancën e saj me Katarin

Prej kohësh Katari është kritikuar për strehimin e Hamasit dhe është përballur me presion gjithnjë e më të madh për të dëbuar udhëheqësit e tij kryesorë.

Por ishte një marrëveshje e mbështetur nga SHBA që i lejoi Hamasit të hapte zyrën e tij politike në Doha, në vitin 2012, teksa Uashingtoni kërkonte të vendoste linja të tërthorta komunikimi me grupin militant palestinez, që e konsideron si organizatë terroriste.

Strehimi i Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura, si talebanët, e ka ndihmuar Katarin të ndërtojë një rol ndikues në ndërmjetësimin e konflikteve globale. Zyrtarët katarezë besonin se statusi i emiratit si “aleat kryesor jo-anëtar i NATO-s” dhe baza Al Udeid, selia rajonale e Komandës Qendrore të SHBA-së, i garantonin mbrojtje të sigurt që do ta frenonte Izraelin.

Sulmet izraelite e thyen atë iluzion të martën, duke goditur në zemër të Dohas, pavarësisht të gjitha baterive raketore dhe sistemeve të radarit të SHBA-së që gjurmonin kërcënimet ajrore nga Al Udeid.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota