I dyshuari për vrasjen e Kirk u arrestua pasi babai e lajmëroi policinë
BKT
Rajoni dhe Bota

I dyshuari për vrasjen e Kirk u arrestua pasi babai e lajmëroi policinë

RTKlive

22-vjeçari Tyler Robinson, i dyshuari për vrasjen e aktivistit konservator amerikan Charlie Kirk, është arrestuar nga autoritetet amerikane pasi babai i tij njoftoi policinë dhe e nxiti të dorëzohej.

Sipas burimeve të CBS, Robinson i kishte rrëfyer babait të vet përfshirjen në ngjarje. Babai kontaktoi një mik të familjes, i cili njoftoi sherifin e qarkut Washington. Marshalët federalë më pas e morën Robinson në paraburgim dhe informuan FBI-në. Guvernatori i Utah, Spencer Cox, në konferencën e përbashkët për media me FBI-në tha: “E kemi kapur”.

Hetuesit thonë se Robinson dyshohet se ka qëlluar me armë nga çatia e kampusit të Universitetit të Luginës së Utah në Orem, ku Charlie Kirk po mbante fjalim para mijëra njerëzve, dhe më pas është larguar në një makinë Dodge Challenger. Armën e përdorur – një pushkë të mbështjellë me peshqir – e ka lënë në një zonë pyjore pranë vendit të ngjarjes.

Guvernatori Cox tha gjithashtu se hetuesit kanë shqyrtuar edhe mesazhet që Robinson dyshohet se i ka dërguar përmes platformës Discord shokut të dhomës, ku përshkruhej vendndodhja e armës. Discord ka konfirmuar se e ka mbyllur profilin e tij dhe ka theksuar se nuk ka gjetur prova për planifikim apo promovim të dhunës në këtë rrjet social.

Tyler Robinson, i dyshuari 22-vjeçar për vrasjen e Charlie Kirk, është djali më i madh nga tre vëllezër. Babai i tij zotëron një biznes që merret me montimin e kuzhinave dhe dollapëve, ndërsa nëna është punonjëse sociale me licencë. Familja Robinson është e besimit Mormon dhe e angazhuar në kishë.

Presidenti Donald Trump e ka quajtur Kirk “një zë për të rinjtë” dhe ka kërkuar që procesi gjyqësor të zhvillohet sa më shpejt, duke shprehur shpresën për dënim me vdekje për autorin e krimit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota