Ish-DJ nepalez dhe OJQ-ja e tij organizojnë protesta masive
Sh.Ç|RTKlive
Një ish-DJ dhe organizata e tij jofitimprurëse e panjohur nepaleze përdorën një aplikacion të rrjeteve sociale të njohur mes lojtarëve të videolojërave për të organizuar protesta masive dhe për t’u bërë ndërmjetës të papritur në instalimin e udhëheqjes së re të përkohshme të vendit.
Sudan Gurung, themeluesi 36-vjeçar i Hami Nepal (Ne jemi Nepali), përdori aplikacionin e mesazheve Discord dhe Instagram-in për të mobilizuar demonstrata masive që detyruan Kryeministrin K.P. Sharma Oli të japë dorëheqjen, në krizën politike më vdekjeprurëse që ka përfshirë vendin e Himalajeve në dekada, thanë një dymbëdhjetësh njerëz të përfshirë në protestat, shkruan Reuters.
Sipas Reuters, grupi përdori VPN për të hyrë në platforma të ndaluara dhe lëshoi thirrje për veprim që arritën dhjetëra mijëra të rinj, shtuan ata. Përfaqësuesit e Oli-t nuk mund të kontaktoheshin për koment.
"Më ftuan të bashkohesha në një grup në Discord ku kishte rreth 400 anëtarë. Na kërkuan të bashkoheshim në marshimin e protestës disa kilometra larg nga parlamenti", tha për Reuters Karan Kulung Rai, një student 18-vjeçar që nuk është pjesë e grupit.
Postimet e hershme të Hami Nepal në rrjetin social Discord u bënë aq me ndikim sa u përmendën edhe në televizionin kombëtar.
Ndërsa protestat u bënë të dhunshme, grupi gjithashtu identifikoi mesazhe që i quajti "lajme të rreme" dhe shpërndau numra telefoni të spitaleve.























