Grupet e ndihmës humanitare kërkojnë ndaljen e ofensivës izraelite në Gaza
M.M./ RTKlive
Një koalicion i organizatave kryesore të ndihmës humanitare u bëri thirrje të mërkurën komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë masa më të forta për të ndalur ofensivën e Izraelit në qytetin e Gazës, pasi një komision ekspertësh i OKB-së konstatoi se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza.
Kjo ndodhi ndërsa Izraeli po e vazhdonte operacionin në pjesën tashmë të shkatërruar të veriut të territorit dhe numri i të vdekurve palestinezë në Gaza po i afrohej 65 mijë, raporton AP.
“Ajo që po shohim në Gaza nuk është vetëm një katastrofë humanitare e paparë më parë, por edhe ajo që Komisioni Hetimor i OKB-së tashmë e ka përfunduar si gjenocid,” thuhet në deklaratën e grupeve të ndihmës. “Shtetet duhet të përdorin çdo mjet politik, ekonomik dhe ligjor që kanë në dispozicion për të ndërhyrë. Retorika dhe gjysmëmasat nuk mjaftojnë. Ky moment kërkon veprim vendimtar”.
Mesazhi u nënshkrua nga udhëheqësit e mbi 20 organizatave të ndihmës që veprojnë në Gaza, përfshirë Këshillin Norvegjez të Refugjatëve, Anera dhe Save the Children.
Deklarata erdhi një ditë pasi Izraeli nisi zyrtarisht ofensivën e tij në Qytetin e Gazës, duke u zotuar ta mposhtë një qytet tashmë të rrënuar nga pothuajse dy vjet luftë.
Të mërkurën, zyrtarët e spitaleve në Gaza thanë se sulmet ajrore izraelite gjatë natës në gjithë territorin vranë të paktën 13 palestinezë, përfshirë gra e fëmijë. Më shumë se gjysma e të vrarëve humbën jetën në sulmet mbi Qytetin e Gazës, përfshirë një fëmijë dhe nënën e tij që u vranë në një goditje ndaj apartamentit të tyre në kampin e refugjatëve Shati, sipas zyrtarëve të Spitalit Shifa, i cili pranoi viktimat.























