Fluturime me dronë në Danimarkë, Poulsen: Veprim i një `aktori të aftë`
BKT
Rajoni dhe Bota

Fluturime me dronë në Danimarkë, Poulsen: Veprim i një `aktori të aftë`

M.M./ RTKlive

Në veriun e Danimarkës, mbi aeroportin  Aalborg janë vërejtur duke fluturuar dronë gjatë orëve të vona të natës së mërkurë, si dhe në orët e para të mëngjesit të së enjtes edhe mbi tre aeroporte më të vogla në vend. Autoritetet daneze thanë se nuk ishte menjëherë e qartë kush qëndron pas këtyre incidenteve.

Ministri i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, tha se dukej se pas fluturimeve “sistematikë” qëndronte një “aktor profesionist”, pa dhënë detaje shtesë gjatë një konference për media të enjten në mëngjes, raporton AP.

Autoritetet thanë se nuk kishte rrezik për publikun.

Qëllimi i këtyre fluturimeve ishte të mbjellin frikë dhe përçarje, tha ministri danez i Drejtësisë, Peter Hummelgaard, të enjten, duke shtuar se vendi do të kërkojë mënyra shtesë për të neutralizuar dronët, përfshirë propozimin e ligjeve që do t’u lejonin pronarëve të infrastrukturës t’i rrëzojnë ata.

Fluturimet në Aeroportin Aalborg, i cili shërben, gjithashtu, si bazë ushtarake, u ndalën për disa orë. Vëzhgimet e dronëve filluan pak para orës 22:00 të mërkurën dhe përfunduan pak para orës 01:00 të enjten.

Edhe aeroportet në Esbjerg, Sønderborg dhe Skrydstrup u panë dronë duke fluturuar. Skrydstrup është një bazë ajrore ku ndodhen disa prej avionëve luftarakë të ushtrisë daneze.

Policia tha se dronët dukeshin sikur po fluturonin rreth aeroporteve me dritat e ndezura, por autoritetet vendosën të mos tentonin t’i rrëzonin. Detaje të tjera nuk ishin menjëherë të disponueshme.

Aktiviteti më i fundit me dronë vjen vetëm pak ditë pas një incidenti të ngjashëm në aeroportin e Kopenhagës, që policia e quajti veprim i një “aktori të aftë”.

Dronët në Kopenhagë ndaluan fluturimet në kryeqytetin danez për disa orë të hënën në mbrëmje, duke nxitur shqetësime se Rusia mund të qëndrojë pas fluturimit mbi aeroportin më të madh të Skandinavisë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota