Netanyahu i bojkotuar në OKB, kritikon njohjen e Palestinës
BKT
Rajoni dhe Bota

Netanyahu i bojkotuar në OKB, kritikon njohjen e Palestinës

Sh.Ç|RTKlive

Liderë të dhjetëra shtetesh u larguan nga salla ku po zhvillohej Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në shenjë proteste ndaj fjalimit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për luftën që Izraeli po zhvillon në Gazë.

Netanyahu e nisi fjalimin me akuza ndaj Iranit, duke thënë se ndikimi i tij po zgjerohet në rajon, dhe u zotua se do të vazhdojë ofensivën në Rripin e Gazës. Ai theksoi se pengjet që mbahen nga militantët palestinezë nuk janë harruar dhe u përpoq të drejtohej drejtpërdrejt ndaj tyre përmes altoparlantëve të vendosur në Gaza.

Fjalimi i Netanyahut erdhi pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili u shpreh kundër aneksimit të Bregut Perëndimor nga Izraeli dhe bëri të ditur se është pranë një marrëveshjeje për Gazën, duke njoftuar një takim me Netanyahu në javën në vijim.

Izraeli po përballet me presion ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe okupimit të Bregut Perëndimor. Qeveritë e Britanisë dhe Gjermanisë kanë paralajmëruar Izraelin kundër aneksimit, ndërsa sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e ka cilësuar një veprim të tillë si moralisht, ligjërisht dhe politikisht të patolerueshëm.

Gjatë javës së fundit, shteti palestinez është njohur edhe nga vende si Britania e Madhe, Franca, Kanadaja, Australia, Belgjika dhe Portugalia.

Në përgjigje, Netanyahu ka reaguar, duke e cilësuar këtë njohje si “të turpshme” dhe “çmenduri të pastër”. Ai deklaroi se njohja e Palestinës pas sulmit të 7 tetorit 2023 është e barasvlershme me t’i dhënë Al Kaedës një vend pranë Nju Jorkut pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Sipas tij, krijimi i një shteti palestinez vetëm 1.5 kilometra larg Jerusalemit do të ishte shpërblim për “fanatikët intolerantë” që qëndrojnë pas masakrës në jug të Izraelit, të udhëhequr nga lëvizja militante Hamas.

Netanyahu tha se Izraeli nuk do të lejojë kurrë që një shtet terrorist t’i imponojë vullnetin dhe nuk do të kryejë vetëvrasje kombëtare për shkak të mungesës së guximit të vendeve perëndimore për t’u përballur me median armiqësore dhe turmat antisemite. Ai theksoi se ky qëndrim pasqyron vullnetin e popullit izraelit, duke përmendur një votim në parlamentin izraelit ku mbi 90 përqind e deputetëve kundërshtuan njohjen e një shteti palestinez.

Në fjalimin e tij, Netanyahu tha gjithashtu se gjatë vitit të kaluar Izraeli ka “gjymtuar” dhe “shkatërruar” lëvizjet militante Hamas dhe Hezbollah, si dhe grupin Huthi në Jemen, dhe ka goditur programet raketore dhe bërthamore të Iranit. Ai tregoi një hartë që e quajti “mallkimi i boshtit terrorist iranian”, ku renditi liderë të grupeve militante dhe shkencëtarë bërthamorë iranianë që sipas tij janë “zhdukur”.

Netanyahu paralajmëroi se ky bosht kërcënon paqen globale, stabilitetin rajonal dhe ekzistencën e Izraelit, duke kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të refuzojë njohjen e një shteti palestinez në këtë periudhë të tensionuar.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota