Besa Famgas triumfon bindshëm në derbin ndaj Kastriotit
BKT
Sport

Besa Famgas triumfon bindshëm në derbin ndaj Kastriotit

F.B/RTKLive

Skuadra e Besa Famgas ka shënuar fitore të rëndësishme në derbin ndaj Kastriotit të Ferizajt, duke treguar forcë dhe cilësi nga fillimi e deri në fund të ndeshjes.

Të dielën mbrëma, në palestrën “Karagaçi” në Pejë, pejanët fituan me rezultat 37:29, ndërsa epërsia ishte e dukshme që në pjesën e parë, e cila u mbyll me shifrat 21:13.

Që në start, Besa Famgas krijoi shkëputje (4:1), dhe më pas e kontrolloi plotësisht lojën, duke e thelluar avantazhin deri në 10 gola (36:26).

Më i dalluari për Besën ishte Ahmed Zayan Amr Ali me 12 gola, i ndjekur nga Deniz Terziqi me 8 dhe Jon Vokshi me 6. Portierët Olt Kabashi dhe Flakrim Beqiraj dhanë gjithashtu një kontribut të madh me pritje vendimtare.

Te Kastrioti, lojtarët më efikasë ishin Alban Haziri, Adonit Isufi dhe Felipe Teixeira, secili me nga 5 gola.

Kjo ishte fitorja e dytë rresht për Besa Famgas, ndërsa Kastrioti pësoi humbjen e parë të sezonit.