Rodri në dyshim për ndeshjen kundër Monacos pas problemeve në gju
BKT
Sport

Rodri në dyshim për ndeshjen kundër Monacos pas problemeve në gju

F.B/RTKLive

Mesfushori i Manchester Cityt, Rodri, vijon të ketë vështirësi pas lëndimit që pësoi më 22 shtator të vitit të kaluar, i cili duket se ka lënë pasoja afatgjata.

Edhe pse spanjolli u shpërblye me çmimin individual më të rëndësishëm për sezonin e kaluar me Cityn, forma e tij aktuale është larg asaj që tregoi më parë.

Në vigjilje të ndeshjes ndaj Burnley-t, Rodri i ishte afruar trajnerit Pep Guardiola duke i kërkuar të mos aktivizohej për shkak të dhimbjeve në gju.

“Kur të gjithë po kryenin ushtrime me top pak minuta para ndeshjes, Rodri mu afrua dhe më kërkoi të mos e aktivizoja pasi kishte dhimbje në gju. Sigurisht që i thashë se nuk do ta aktivizoja”, deklaroi Guardiola pas fitores së City-t kundër skuadrës së Armando Brojës.

Sipas trajnerit spanjoll, mesfushori mbetet në dyshim edhe për përballjen e radhës në Ligën e Kampionëve kundër Monacos, në kuadër të javës së dytë të fazës së grupeve.