Trump-Netanyahu takim për t’i dhënë fund luftës në Gaza
M.M./ RTKlive
Pas fjalimit sfidues në Kombet e Bashkuara, ku hodhi poshtë kërkesat për t’i dhënë fund luftës në Gaza, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të takohet me mbështetësin e tij më të rëndësishëm, presidentin amerikan, Donald Trump.
Takimi i së hënës me presidentin Donald Trump në Uashington vjen në një moment të ndjeshëm. Izraeli po izolohet gjithnjë e më shumë, duke humbur përkrahjen e shumë vendeve që dikur ishin aleatë të qëndrueshëm. Në vend, koalicioni qeverisës i Netanyahut duket më i brishtë se kurrë. Edhe Shtëpia e Bardhë po jep shenja durimi në rënie, raporton AP.
Pyetja tani është nëse Trump, i cili e ka mbështetur pa lëkundje Netanyahun gjatë gjithë luftës, do ta ndryshojë tonin dhe do të shtojë presionin mbi Izraelin për t’i dhënë fund konfliktit
Shtëpia e Bardhë u bën thirrje Izraelit dhe Hamasit për armëpushim dhe marrëveshje për pengjet
Orë para takimit të parashikuar, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u bëri thirrje të dyja palëve të finalizojnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare në Gaza.
“Presidenti e di se, kur arrihet një marrëveshje e mirë, të dyja palët do të jenë paksa të pakënaqura,” tha Leavitt të hënën në mëngjes para gazetarëve. “Por na duhet që ky konflikt të përfundojë.”
Në një postim në rrjetet sociale të dielën, presidenti republikan shkroi: “Kemi një shans të vërtetë për MADHËSHTI NË LINDJEN E MESME. TË GJITHË JANË GATI PËR DIÇKA TË VEÇANTË, PËR HERË TË PARË. DO TA REALIZOJME!!!”.
Trump dhe Netanyahu do të takohen në Zyrën Ovale dhe më pas pritet një konferencë e përbashkët për shtyp.























