SHBA-ja e tërheq nominimin e Mark Brnovichit për ambasador të ri në Serbi
V.Th / RTKLive
Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka tërhequr nominimin e Mark Brnovichit për ambasador të ri në Serbi, sipas një vendimi të publikuar në faqen e internetit të Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit amerikan.
"Presidenti i Shteteve të Bashkuara i dërgoi Senatit, më 2 tetor 2025, një mesazh ekzekutiv për tërheqjen nga shqyrtimi i mëtejshëm i emërimit të mëposhtëm: Mark Brnovich, nga Arizona, për Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Serbisë. Ky emërim i ishte dërguar Senatit më 29 prill 2025," thuhet në faqen zyrtare të Kongresit Amerikan.
Arsyet për tërheqjen e emërimit të Mark Brnovichit nuk janë bërë të ditura.
Në fund të marsit, Trumpi pati njoftuar se do ta emëronte Brnovichin si ambasador të Shteteve të Bashkuara në Serbi.
Trump kishte thënë asokohe se Brnovich “do të jetë mbrojtës i fuqishëm i lirisë dhe do ta vendosë Amerikën gjithmonë të parën”.
"Kam kënaqësinë të njoftoj se Mark Brnovich do të jetë ambasadori ynë i ardhshëm i SHBA-së në Serbi. Mark është një veteran krenar i Gardës Kombëtare dhe më parë ka shërbyer si Prokuror i Përgjithshëm i Arizonës. Si bir i refugjatëve nga komunizmi, Mark do të jetë një mbrojtës i fortë i lirisë dhe gjithmonë do ta vërë Amerikën në vend të parë. Urime, Mark!", kishte theksuar Trump,
Shtetet e Bashkuara nuk kanë ambasador në Serbi që nga janari i këtij viti, kur Christopher Hill u largua pas kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.























