Trump në Egjipt për samitin e paqes në Gaza
BKT
Rajoni dhe Bota

Trump në Egjipt për samitin e paqes në Gaza

M.M./ RTKlive

Presidenti Trump mbërriti të hënën në Egjipt për një samit ndërkombëtar mbi të ardhmen e Gazës, duke synuar të nxisë paqen në Lindjen e Mesme pas vizitës në Izrael, ku festoi armëpushimin e ndërmjetësuar nga SHBA me Hamasin.

Udhëtimi i tij i shpejtë, që përfshiu edhe një fjalim në Kneset në Jerusalem më herët gjatë ditës, vjen në një moment delikat shprese për përfundimin e luftës dyvjeçare mes Izraelit dhe Hamasit.

“Të gjithë thanë se nuk është e mundur ta bësh. Dhe do të ndodhë. Dhe po ndodh para syve tuaj,” tha Trump përkrah presidentit egjiptian Abdel Fattah el-Sissi.

Pavarësisht pyetjeve ende të hapura për hapat e ardhshëm në Gaza, e cila është shkatërruar gjatë konfliktit, Trump është i vendosur të shfrytëzojë mundësinë për të ndjekur një harmoni rajonale të shumëkërkuar, raporton AP.

“Ju keni fituar,” u tha ai ligjvënësve izraelitë në Kneset, që e pritën si hero. “Tani është koha t’i përktheni këto fitore kundër terroristëve në fushëbetejë në shpërblimin përfundimtar të paqes dhe begatisë për gjithë Lindjen e Mesme”.

Trump premtoi të ndihmojë në rindërtimin e Gazës dhe u bëri thirrje palestinezëve “të largohen përgjithmonë nga rruga e terrorit dhe dhunës.”

“Pas dhimbjes, vdekjes dhe vështirësive të mëdha, tani është koha që të përqendrohen në ngritjen e popullit të tyre, në vend që të përpiqen të rrënojnë Izraelin”, tha ai.

Trump foli edhe për Iranin, vend që ai bombardoi në tre objekte bërthamore gjatë luftës së shkurtër me Izraelin më herët këtë vit, duke thënë se “dora e miqësisë dhe bashkëpunimit është gjithmonë e hapur.”


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota