Trump synon të përqendrohet tek Rusia, pas arritjes së armëpushimit në Gaza
BKT
Rajoni dhe Bota

Trump synon të përqendrohet tek Rusia, pas arritjes së armëpushimit në Gaza

M.M./ RTKlive

Presidenti amerikan tha të hënën se tani dëshiron të përqendrohet tek Rusia dhe lufta e saj kundër Ukrainës. Pas muajsh përpjekjesh diplomatike, a mund ta përsërisë Trump suksesin e tij si ndërmjetës i paqes dhe t’i japë fund luftës së Moskës kundër Ukrainës?

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se planifikon të përqendrohet në përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, tani që faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza po hyn në fazën përfundimtare.

Të hënën, Hamasi liroi të gjithë 20 pengjet izraelitë që ishin ende gjallë, ndërsa Izraeli liroi pothuajse 2.000 palestinezë të mbajtur në burgjet e tij. Kjo ndodhi pasi të dyja palët ranë dakord të ndalin armiqësitë më 10 tetor.

Një armëpushim i mundshëm për Ukrainën dhe hapat e ardhshëm pritet të diskutohen në një takim midis Volodymyr Zelenskyy dhe Trump të premten në Uashington, siç konfirmoi presidenti ukrainas, raporton BBCNews.

“Mendoj se duhet të diskutojmë rendin e hapave që dua t’i propozoj presidentit Trump,” u tha Zelenskyy gazetarëve të hënën.

Duke iu drejtuar parlamentit izraelit të hënën, Trump tha se përpjekjet e tij për paqe nuk kanë përfunduar ende dhe se hapi i radhës është të bindë Rusinë të ndalojë luftën kundër Ukrainës.

“Do të ishte e mrekullueshme nëse do të mund të arrinim një marrëveshje paqeje edhe me Irani),” tha Trump në fjalimin e tij triumfues në Kneset, duke shtuar: “Por së pari duhet të mbarojmë punën me Rusinë.”

“Le të përqendrohemi fillimisht tek Rusia.”

Trump ka tentuar prej muajsh të ndërmjetësojë një marrëveshje armëpushimi midis Rusisë dhe Ukrainës, por përpjekjet e tij kanë mbetur në vend, pasi Kremlini ka refuzuar idenë e negociatave të drejtpërdrejta me Zelenskyy, edhe me pjesëmarrjen e Trumpit si ndërmjetës.

“Edhe Hamasi tregon aftësi për marrëveshje, por jo Putini,” tha Zelenskyy.

Zyrtarët e Moskës kanë refuzuar vazhdimisht të marrin pjesë në ndonjë negociatë me udhëheqjen ukrainase, duke pranuar vetëm një takim ballë për ballë midis Trumpit dhe Vladimir Putinit në Alaskë në gusht.

Por plani i paqes në Gaza dhe kthimi i pengjeve izraelite i kanë dhënë Kievit një shpresë të re.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota