Tre policë vriten në shpërthim gjatë dëbimit të një familjeje në Itali
M.M./ RTKlive
Tre oficerë policie kanë humbur jetën dhe të paktën 15 persona të tjerë janë plagosur në një shpërthim të qëllimshëm gazi në një fermë në Italinë veriore.
Shpërthimi ndodhi në momentin kur policia dhe zjarrfikësit hynë në shtëpinë pranë Veronës për të zbatuar një urdhër dëbimi ndaj dy vëllezërve dhe një motre, të moshës nga fundi i të 50-ave dhe mesi i të 60-ave.
Tre viktimat ishin pjesëtarë të policisë ushtarake italiane, Carabinieri.
Një burrë dhe një grua u arrestuan në vendngjarje, ndërsa një burrë tjetër, që u arratis pas shpërthimit, u kap pak më vonë. Të tre ndodhen në spital.
Shpërthimi u dëgjua deri në 5 kilometra larg dhe pamjet nga vendi treguan ndërtesën e rrënuar plotësisht, raporton BBCNews.
Kreu i rajonit Veneto, Luca Zaia, tha se ferma ishte subjekt i një urdhri dëbimi për shkak të borxheve të akumuluara nga tre pronarët.
“Kjo është një kohë zie,” tha ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, duke shtuar se në të kaluarën ishin bërë disa përpjekje për t’i dëbuar tre vëllezërit e motrën.
“Ishte e qartë se kishim të bënim me persona që do të rezistonin në një mënyrë ose tjetër,” tha ai.























