Van Dijk: Nëse pësojmë gola të tillë, s’mund të fitojmë
BKT
Sport

Van Dijk: Nëse pësojmë gola të tillë, s’mund të fitojmë

F.B/RTKLive

Alarm te Liverpooli pas një tjetër disfate. Kampionët në fuqi të Anglisë u mposhtën 2-1 në “Anfield” nga Manchester United, duke regjistruar humbjen e katërt radhazi – tri në Premier Ligë dhe një në Ligën e Kampionëve.

Mbrojtësi holandez, Virgil van Dijk, foli për “Sky Sports UK” pas ndeshjes, duke shprehur zhgënjimin e tij për mënyrën se si skuadra pësoi golat.

“Mendoj se pësuam një gol të dytë që ishte vërtet i shmangshëm. Punuan shumë për t’u rikthyer në lojë dhe krijuam disa raste të shkëlqyera për të fituar, por kur lejon një gol të tillë, është vërtet zhgënjyese”, tha Van Dijk.

Ai pranoi se skuadra nuk ishte në nivelin e duhur.

“Ata (Manchester United) ishin më të duruar, nuk na ushtruan presion lart, por nuk na lanë as të luanim lirshëm me topin. Krijuam mjaft raste për të shënuar, por realiteti është se humbëm”, pohoi ai.

Van Dijk theksoi rëndësinë e unitetit në momente të tilla të vështira.

“Është një periudhë e vështirë dhe duhet të qëndrojmë të bashkuar – si lojtarë, si klub dhe bashkë me tifozët. Duhet të jemi të përulur, të vazhdojmë punën dhe të ruajmë mentalitetin e duhur. Sezoni është i gjatë dhe vetëm së bashku mund ta kalojmë këtë fazë”, përfundoi mbrojtësi holandez.

Kjo humbje e thellon krizën te “Reds”, që tani ndodhen nën presion të madh për t’u rikthyer te rezultatet pozitive në javët e ardhshme.