Nicolas Sarkozy nga pallati presidencial në Paris, drejt burgut
BKT
Rajoni dhe Bota

Nicolas Sarkozy nga pallati presidencial në Paris, drejt burgut

M.M./ RTKlive

Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, do të dërgohet të martën në burg për të vuajtur dënimin për një komplot kriminal për financimin e fushatës së tij elektorale të vitit 2007 me fonde nga Libia, duke u bërë ish-udhëheqësi i parë i Francës moderne që futet në burg.

Sarkozy kundërshton, si dënimin, ashtu edhe vendimin e pazakontë të gjykatësit për ta burgosur përkohësisht në pritje të apelimit. Udhëtimi i tij nga pallati presidencial Élysée në burgun e famëkeq La Santé, në Paris, ka magjepsur opinionin francez.

Më shumë se 100 mbështetës u mblodhën në lagjen luksoze të Parisit, ku Sarkozy jeton me bashkëshorten e tij, Carla Bruni-Sarkozy. Ata duartrokitën, brohoritën “Nicolas, Nicolas” dhe kënduan himnin francez. Dy flamuj francezë u varën në një gardh aty pranë, me mbishkrimet: “Kurrajo Nicolas, kthehu shpejt” dhe “Franca e vërtetë me Nicolas”, raporton AP.

Tre djemtë e tij, Jean, Pierre dhe Louis, mbërritën në shtëpinë e tij herët në mëngjes.

Presidenti aktual, Emmanuel Macron, i cili po përballet me sfida politike, e priti javën e kaluar Sarkozy-n në pallatin presidencial. “Kam qenë gjithmonë shumë i qartë në deklaratat e mia publike për pavarësinë e gjyqësorit në rolin tim, por ishte njerëzisht e natyrshme të pranoja një nga paraardhësit e mi në këtë kontekst,” tha Macron të hënën.

Njëri nga avokatët e Sarkozy-t, Jean-Michel Darrois, tha të martën se ish-presidenti është “përgatitur mendërisht” për t’u mbajtur në izolim, ku do të qëndrojë i ndarë nga të gjithë të burgosurit e tjerë për arsye sigurie.

“Nuk kam frikë nga burgu. Do ta mbaj kokën lart, edhe përpara dyerve të La Santé”, i tha Sarkozy gazetës La Tribune Dimanche. “Do të luftoj deri në fund”.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota