Ukraina dhe BE akuzojnë Putinin për zvarritjen e planit për paqe
BKT
Rajoni dhe Bota

Ukraina dhe BE akuzojnë Putinin për zvarritjen e planit për paqe

M.M./ RTKlive

Presidenti i Ukrainës dhe liderët evropianë të martën akuzuan presidentin rus, Vladimir Putin, se po fiton kohë përmes përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës dhe kundërshtuan çdo ide që Kievi të dorëzojë territore të pushtuara nga forcat ruse në këmbim të paqes, një propozim që, herë pas here, është përmendur nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Tetë liderë evropianë, si dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, përmes një deklarate të përbashkët, njoftuan se synimi i tyre është të vazhdohet me planet për të përdorur miliarda dollarë (euro) të aseteve të ngrira të Moskës jashtë vendit për ta ndihmuar Kievin të fitojë luftën, pavarësisht disa shqetësimeve për ligjshmërinë dhe pasojat e një hapi të tillë.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se mbështesin përpjekjet e Trump-it për paqe në Ukrainë, teksa ai përgatitet të takohet me Putinin në Budapest, Hungari, në javët në vijim, raporton AP.

Ndërkaq zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, theksoi se nde nuk është caktuar një datë për samitin e Budapestit, teksa shtoi se “nuk ka ndonjë ndjenjë urgjence”. “Nevojitet përgatitje, përgatitje serioze,” u tha ai gazetarëve.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy vuri në dukje se Putini është rikthyer në diplomaci, duke telefonuar Trumpin javën e kaluar pasi presidenti amerikan deklaroi se mund t’i furnizojë Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi të tipit Tomahawk. Por “sapo presioni u zbut pak, rusët filluan të përpiqen ta shtyjnë diplomacinë, ta vonojnë dialogun,” shkroi Zelenskyy të martën në një postim në Telegram.

“Ne duhet t’i japim fund kësaj lufte, dhe vetëm presioni do të çojë në paqe,” tha ai.

Në deklaratën e përbashkët, liderët theksuan parimin se “mbetemi të përkushtuar ndaj faktit që kufijtë ndërkombëtarë nuk mund të ndryshohen me forcë”.

Ndryshe, muajin e kaluar, Trump kishte ndryshuar qëndrimin e tij të kahershëm se Ukraina do të duhej të lëshonte territore, duke sugjeruar se ajo mund t’i rikthejë të gjitha zonat e humbura ndaj Rusisë. Megjithatë, pas një bisede telefonike me Putinin javën e kaluar dhe një takimi pasues me Zelenskyyn të premten, Trump ndryshoi sërish qëndrim, duke bërë thirrje që Kievi dhe Moska të “ndalen aty ku janë” në luftën që ka zgjatur më shumë se tre vjet.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota