Aksident tragjik në Ugandë, 46 persona të vdekur
BKT
Rajoni dhe Bota

Aksident tragjik në Ugandë, 46 persona të vdekur

M.M./ RTKlive

Dy autobusë dhe dy automjete të tjera u përplasën në orët e para të së mërkurës në një autostradë në Ugandën perëndimore, duke mbetur të vdekur, të paktën, 46 persona, njoftoi policia e vendit.

Fillimisht policia raportoi 63 viktima në një deklaratë dërguar mediave, por më vonë e korrigjoi numrin në 46, duke sqaruar në një tjetër njoftim se disa persona të gjetur pa ndjenja në vendngjarje ishin ende gjallë.

“Në momentin e përplasjes, disa viktima u gjetën pa ndjenja, dhe disa prej tyre mund të jenë përfshirë gabimisht në numrin fillestar të viktimave,” thuhej në deklaratë, raporton AP.

Disa persona të tjerë mbetën të plagosur në aksidentin që ndodhi pas mesnate me orën lokale, në autostradën që çon drejt qytetit të Gulut, një qendër e madhe në Ugandën veriore.

Sipas policisë, dy shoferë autobusësh, që po udhëtonin në drejtime të kundërta, tentuan të parakalonin automjete të tjera dhe u përplasën ballë për ballë, pranë qytetit Kiryandongo.

“Gjatë përpjekjes për parakalim, të dy autobusët u takuan ballë për ballë,” thuhej në njoftimin e policisë.

Aksidentet vdekjeprurëse janë të zakonshme në Ugandë dhe vende të tjera të Afrikës lindore, ku rrugët shpesh janë të ngushta. Policia zakonisht fajëson shoferët që ecin me shpejtësi të lartë.

Numri i viktimave në aksidentin më të fundit në Ugandë është jashtëzakonisht i lartë, tha zëdhënësja e Kryqit të Kuq, Irene Nakasiita, e cila përshkroi viktima që ishin gjakosur dhe me gjymtyrë të thyer.

Në Ugandë, 5.144 persona humbën jetën në aksidente rrugore në vitin 2024. Ky numër është rritur nga 4,806 në vitin 2023 dhe 4,534 në vitin 2022, sipas të dhënave zyrtare të policisë, të cilat tregojnë një rritje shqetësuese të numrit të të vdekurve dhe të plagosurve në aksidente rrugore viteve të fundit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota