Japonia rrit buxhetin e mbrojtjes mes tensioneve në rajon
M.M./ RTKlive
Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, në fjalimin e saj të parë politik të premten, u zotua të përshpejtojë edhe më shumë zgjerimin dhe financimin ushtarak të Japonisë dhe të përfundojë sa më shpejt përditësimin e strategjisë së sigurisë së vendit, teksa rriten tensionet me Kinën, Korenë e Veriut dhe Rusinë.
Takaichi mori detyrën të martën, pasi u zgjodh si udhëheqësja e parë femër e Japonisë. Kjo i dha fund muajve të boshllëkut politik mes përplasjesh të brendshme në partinë e saj pas humbjeve të njëpasnjëshme zgjedhore që çuan në humbjen e shumicës së koalicionit qeverisës në të dyja dhomat e Parlamentit, raporton AP.
Të premten, Takaichi tha se qeveria e saj do të arrijë objektivin vjetor për shpenzime ushtarake prej 2% të prodhimit të brendshëm bruto deri në mars, në vend të vitit 2027, siç parashikohej fillimisht. Ajo tha se strategjia e sigurisë do të rishikohet herët dhe do të jetë gati deri në fund të vitit 2026. Japonia zakonisht e rishikon strategjinë një herë në një dekadë, duke qenë se rishikimi i fundit u bë në dhjetor 2022.
Ajo tha se përditësimi i strategjisë vjen si pasojë e ndryshimeve në mjedisin e sigurisë, përfshirë pushtimin rus të Ukrainës dhe konfliktin në Lindjen e Mesme.
“Rendi ndërkombëtar i lirë, i hapur dhe i qëndrueshëm, me të cilin jemi mësuar, po tronditet fuqishëm përballë ndryshimeve historike në balancën e fuqisë dhe rritjes së garave gjeopolitike,” deklaroi Takaichi në Parlament. “Në rajonin përreth Japonisë, aktivitetet ushtarake dhe veprimet e tjera të fqinjëve tanë, Kinës, Koresë së Veriut dhe Rusisë, po shkaktojnë shqetësime serioze”, shtoi ajo.
“Japonia duhet të shtyjë në mënyrë proaktive forcimin themelor të kapaciteteve të saj mbrojtëse,” nënvizoi Takaichi.
Premtimi i saj të premten vjen pak ditë para vizitës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në Tokio më 27-29 tetor për një samit, ku pritet që ajo të përballet me kërkesa të ashpra nga Trump, si rritje të mëtejshme të shpenzimeve japoneze për mbrojtjen dhe blerjen e armëve të shtrenjta amerikane. Takimi me Trump-in përbën një provë të madhe diplomatike që përfshin gjithashtu dy samite rajonale.
Takaichi tha se planifikon të diskutojë me Trump-in për forcimin e mëtejshëm të aleancës japonezo-amerikane, duke kultivuar edhe marrëdhënien personale të mbështetur te besimi ndërmjet dy palëve.
Ajo vuri në dukje se Japonia duhet të ndërtojë një marrëdhënie konstruktive dhe të qëndrueshme me Kinën, megjithëse ekzistojnë “shqetësime për sigurinë” mes dy vendeve.
Ekspertët thonë se politikat e saj të ashpra dhe qëndrimet për historinë e luftës, si dhe vizitat e mëhershme të saj në Tempullin Yasukuni, të cilin viktimat aziatike të mizorive të epokës koloniale japoneze e shohin si mungesë pendese, mund të dëmtojnë marrëdhëniet e Tokios me Pekinin.
Përditësimi i strategjisë së sigurisë mund të përfshijë role më ofensive për Forcat e Vetëmbrojtjes së Japonisë, zbutje të mëtejshme të kufizimeve të eksportit të armëve dhe rritje të shpenzimeve ushtarake. Mirëpo, ajo nuk dha hollësi se si planifikon t’i financojë këto masa.
Për të realizuar ndonjërën nga premtimet ose politikat e saj, qeveria e saj minoritare ka nevojë për bashkëpunimin e opozitës.
Detyra e saj e menjëhershme në vend është të përballet me rritjen e çmimeve dhe pagat në rënie dhe të rikthejë mbështetjen nga konservatorët.
Aleanca e re qeverisëse e Partisë Liberale Demokratike me partinë e djathtë Japan Innovation Party, e cila zëvendëson koalicionin e mëparshëm me partinë centriste paqësore Komeito, ka ngritur shqetësime për një zhvendosje të mëtejshme të Japonisë drejt së djathtës.























