Sulmi amerikan në Karaibe, gjashtë të vrarë në anijen e dyshuar për drogë
BKT
Foto arkiv
Rajoni dhe Bota

Sulmi amerikan në Karaibe, gjashtë të vrarë në anijen e dyshuar për drogë

RTKlive

Një sulm i Shteteve të Bashkuara ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në Karaibe ka lënë të vrarë gjashtë persona të dyshuar si “narko-terroristë”, ka bërë të ditur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Në një postim në platformën X, Hegseth tha se ky ishte sulmi i parë i zhvilluar natën në kuadër të fushatës kundër drogës të nisur në shtator nga administrata e presidentit Donald Trump. Ai shtoi se anija ishte në pronësi të bandës Tren de Aragua, një grup kriminal i njohur në Amerikën Latine.

Edhe pse Pentagoni nuk ofroi prova për ngarkesën që mbante anija, Hegseth publikoi një video rreth 20 sekondash që tregonte momentin kur anija u godit nga një predhë dhe shpërtheu në det, shkruan Reuters.

Presidenti Trump ka njoftuar se do ta informojë Kongresin amerikan për operacionet kundër karteleve të drogës dhe paralajmëroi se “hapi i radhës” do të jenë operacionet tokësore kundër tyre.

Sipas Pentagonit, ky është sulmi i 11-të i tillë në Karaibe dhe Oqeanin Paqësor që nga fillimi i fushatës, me rreth 40 persona të vrarë në total.

Ndërkohë, disa ekspertë ligjorë dhe ligjvënës demokratë kanë ngritur shqetësime për ligjshmërinë e këtyre operacioneve, duke pyetur nëse ato janë në përputhje me ligjet ndërkombëtare të luftës.

Më herët, Reuters raportoi se dy trafikantë të dyshuar droge mbijetuan nga një sulm i ngjashëm amerikan dhe u shpëtuan nga Marina e SHBA-së, për t’u riatdhesuar më pas në Kolumbi dhe Ekuador.

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka akuzuar Uashingtonin se po përpiqet ta rrëzojë nga pushteti, ndërsa SHBA në gusht dyfishoi shpërblimin për informacion që çon në arrestimin e tij në 50 milionë dollarë, duke e akuzuar për lidhje me trafik droge dhe grupe kriminale — akuza që Maduro i mohon.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota