Ka ende shumë jetë në Gaza që varen nga një fije shprese
BBC
Në dhoma të ndryshme të Spitalit Nasser qëndrojnë dy djem 10-vjeçarë, njëri i plagosur nga zjarr i ushtrisë izraelite dhe i paralizuar nga qafa poshtë, tjetri me një tumor në tru.
Tani që një armëpushim i brishtë është në fuqi, ata janë ndër rreth 15,000 pacientët që Organiza Botërore e Shëndetësisë (OBSh) thotë se kanë nevojë urgjente për evakuime mjekësore.
Amar Abu Said, një djalë palestinez, qëndron në shtrat, duke u dukur i dobësuar, ndërsa një grua prek fytyrën e tij. Ai është paralizuar nga qafa poshtë dhe ka nevojë për trajtim specialistik. Sipas familjes, Amar u godit nga një plumb i humbur i një droni izraelit që qëndronte në tendën e tyre në jug të Gazës, i cili ka mbetur mes dy vertebrave, duke e lënë të paralizuar.
"Ai ka nevojë urgjente për operacion", thotë Ola, nëna e tij, "por është e komplikuar. Mjekët na thanë se mund të shkaktojë vdekje, atak ose hemorragji cerebrale. Ai ka nevojë për operacion në një vend mirë të pajisur".
Tash për tash, Gaza është çdo gjë tjetër përveç një vendi të tillë. Pas dy vjet lufte, spitalet e saj janë në gjendje kritike.
Ahmed al-Jadd dhe motra e tij Shahd humbën babanë gjatë luftës. Duke qëndruar pranë shtratit të vëllait të saj të vogël, Shahd thotë se Ahmedi ishte gjithmonë një burim ngushëllimi për të gjatë dy viteve të luftës dhe zhvendosjes.
"Ka vetëm 10 vjeç dhe kur situata jonë u bë shumë e keqe, ai dilte dhe shiste ujë për të ndihmuar pak me para", shpjegon Shahd. Para disa muajsh, shfaqën shenjat e para të sëmundjes.
"Goja e Ahmedit filloi të bjerë nga njëra anë", thotë Shahd. "Një herë më tha: ‘Shahd, më dhemb koka’ dhe ne i dhamë vetëm paracetamol, por më vonë krahu i djathtë nuk po lëvizte".
Ish-studentja universitare është e dëshpëruar që vëllai i saj të mund të udhëtojë jashtë për të hequr tumorin.
"Ne nuk mund ta humbasim. Ne tashmë humbëm babanë, shtëpinë dhe ëndrrat tona", thekson Shahd. "Armëpushimi na dha pak shpresë se ndoshta ka 1% mundësi që Ahmed të mund të udhëtojë dhe të trajtohet".
Më 10 tetor, OBSh koordinoi konvojin e parë mjekësor që doli nga Gaza që nga fillimi i armëpushimit të brishtë. Ai mori 41 pacientë dhe 145 kujdestarë për në spitale jashtë vendit përmes pikës kufitare Kerem Shalom të Izraelit, me ambulanca dhe autobusa që i çuan më tej në Jordan. Disa kanë qëndruar për trajtim atje.
Agjencia e OKB-së ka kërkuar që numri i evakuimeve mjekësore të rritet shpejt për të përballuar mijëra raste të të sëmurëve dhe të plagosurve. Ajo dëshiron të mund të nxjerrë pacientë përmes pikës kufitare Rafah me Egjiptin, siç ka bërë më parë.
Megjithatë, Izraeli ka thënë se mban pikën e kufirit të mbyllur derisa Hamas të "përmbushë" angazhimet e tij sipas marrëveshjes së armëpushimit të Gazës duke kthyer trupat e të rrëmbyerve të vrarë. Izraeli ka mbajtur të mbyllur anën e Gazës të kufirit egjiptian që nga maji 2024, kur mori kontrollin gjatë luftës.
Duke folur në një konferencë për shtyp të enjten, kreu i OBSh-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se "masa më efektive" do të ishte nëse Izraeli do të lejonte pacientët e Gazës të trajtoheshin në Bregun Perëndimor të okupuar, përfshirë Jerusalemin Lindor, siç ndodhte para luftës.
Zyrtarët e BE-së dhe ministrat e jashtëm të mbi 20 vendeve, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, më parë kanë kërkuar këtë, duke ofruar "kontribute financiare, stafe mjekësore ose pajisje të nevojshme".
Në spitalin Nasser, drejtori i pediatrisë dhe maternitetit, Dr. Ahmed al-Farra, shpreh frustrimin e tij:
"Është ndjenja më e vështirë për një mjek të jetë prezent, të jetë në gjendje të diagnostikojë një sëmundje, por të mos ketë mundësi të kryejë testet esenciale dhe të mungojnë trajtimet e nevojshme," thotë Dr. al-Farra. "Kjo ka ndodhur në shumë raste, dhe fatkeqësisht, humbja e jetës është çdo ditë për shkak të mungesës së kapaciteteve tona".
Që nga armëpushimi, shpresa ka munguar për shumë pacientë të tij.
Në javën e kaluar në oborrin e spitalit, u mbajt një funeral për Saadi Abu Taha, tetë vjeç, i cili vdiq nga kanceri i zorrës së trashë. Një ditë më pas, trevjeçari Zain Tafesh dhe Luay Dweik, tetë vjeç, vdiqën nga hepatiti.
Pa ndërhyrje, shumë më shumë Gazanë nuk do të kenë shansin të jetojnë në paqe.























