Prekazi: Dueli mes City-t dhe Dortmundit do të sjellë një sfidë të fortë
F.B/RTKLive
Përballja ndërmjet Manchester City-t dhe Borussias së Dortmundit konsiderohet kryesfida e natës së sotme në Ligën e Kampionëve, ndeshje e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK 1 nga ora 21:00.
Pas tre xhirove të para, si City ashtu edhe Borussia kanë grumbulluar nga 7 pikë, megjithatë ekipi i trajnerit kroat ka treguar më shumë efikasitet në sulm (12 gola të shënuar, City 6), por njëherësh ka shfaqur edhe më shumë dobësi në mbrojtje (7 gola të pësuar, City vetëm 2).
Analisti i RTK-së Rafet Prekazi në emisionin që i kushtohet Ligës së Kampionëve, është shprehur i bindur se dueli mes ‘Qytetarëve’ dhe Dortmundit, do të sjellë një sfidë të fortë dhe dramatike.
“Takohen dy skuadra që i kanë nga shtatë pikë, sa i përket mënyrës së lojës, e dimë që luajnë futboll teknik. Liga e Kampionëve është niveli më i lartë në Evropë edhe para ndeshjes, lojtarët kanë emocion më të madh për himnin e Ligës së Kampionëve”, tha ai.
“Te City dihet që pritet qarkullimi i topit, por edhe te Dortmundi njëjtë. Dortmund dallohet se ka një stadium mbi nivel çdo herë, të gjitha biletat janë të shitura dhe i tërë populli veshët verdhë e zi. Nuk e di ndonjë njëri që shikon futboll dhe nuk ka simpati për Dortmundin”, theksoi Prekazi.
“Ky City është në rrugën e duhur për t’u rikthyer në nivelin më të lartë siç dëshiron Guardiola”, ka pohuar Prekazi.























