Portugalia kualifikohet me një fitore të thellë ndaj Armenisë
BKT
Sport

Portugalia kualifikohet me një fitore të thellë ndaj Armenisë

Uran Krasniqi/RTKLive

Portugalia ka vulosur kualifikimin për Kupën e Botës 2026, pasi e ka mposhtur me rezultat të thellë 9:1 Armeninë, në një ndeshje ku kantë spikatur Joao Neves dhe Bruno Fernandes me nga tre gola secili.

Me këtë fitore, Portugalia e mbyll grupin si lidere dhe siguron pjesëmarrjen e saj të shtatë radhazi në një Botëror.

Pas humbjes befasuese 2:0 ndaj Irlandës, Portugalia e trajnerit Roberto Martínez është rikthyer dhe e ka dominuar plotësisht ndeshjen ndaj Armenisë.

Veiga e ka zhbllokuar rezultatin në minutën e shtatë, ndërsa Armenia ka barazuar përkohësisht me golin e Spertsyan. Por kjo ishte e vetmja goditje e mysafirëve.

Duke zëvendësuar Cristiano Ronaldo, i suspenduar, Gonçalo Ramos e ka shënuar golin e dytë, para se Joao Neves dhe Bruno Fernandes ta marrin skenën me gola, përfshirë edhe një goditje dënimi të jashtëzakonshme nga distanca e Neves. Deri në fund të pjesës së parë, Portugalia ka shënuar pesë gola.

Në pjesën e dytë, loja vazhdoi me të njëjtin ritëm. Fernandes e ka kompletuar tregolëshin e tij me një tjetër penallti, Neves ka shënuar golin e tij të tretë në minutën tetëdhjetë e një, ndërsa Conceiçao e ka vulosur rezultatin 9:1 në shtesë.