Plani i Trump-it për Gazën mbështetet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së
BKT
Rajoni dhe Bota

Plani i Trump-it për Gazën mbështetet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së

M.M./ RTKlive

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka votuar pro një rezolute të hartuar nga SHBA, e cila miraton planin 20-pikësh të presidentit amerikan, Donald Trump, për Gazën.

Në plan përfshihet krijimi i një Force Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), për të cilën SHBA thotë se disa vende, të paemërtuara, kanë ofruar të kontribuojnë.

Rezoluta u mbështet nga 13 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Somalinë, pa asnjë votë kundër, derisa Rusia dhe Kina abstenuan.

Miratimi i saj ishte një “hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të armëpushimit”, tha një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Ndërkohë, Hamasi e ka refuzuar rezolutën, duke thënë se ajo nuk i plotëson të drejtat dhe kërkesat e palestinezëve, raporton BBCNews.

Grupi i armatosur palestinez shkroi në Telegram pas miratimit të rezolutës se plani “vendos një mekanizëm kujdestarie ndërkombëtare mbi Rripin e Gazës, të cilin populli ynë dhe fraksionet e tyre e refuzojnë”.

“Ngarkimi i forcës ndërkombëtare me detyra dhe role brenda Gazës, përfshirë çarmatimin e rezistencës, ia heq neutralitetin dhe e kthen atë në palë të konfliktit në favor të pushtimit”, shtoi grupi.

Sipas rezolutës, ISF do të punojë me Izraelin dhe Egjiptin, si dhe me një forcë të re policie palestineze të trajnuar dhe verifikuar, për të siguruar zonat kufitare dhe për të garantuar procesin e çarmatimit të përhershëm të grupeve të armatosura jo-shtetërore, përfshirë Hamasin.

Deri më tani, policia atje ka operuar nën autoritetin e Hamasit.

Mike Waltz, ambasadori amerikan në OKB, i tha këshillit se ISF do të ketë si detyrë “sigurimin e zonës, mbështetjen e çmilitarizimit të Gazës, çmontimin e infrastrukturës terroriste, largimin e armëve dhe garantimin e sigurisë së civilëve palestinezë”.

Këshilli i Sigurimit miratoi gjithashtu krijimin e një organi të përkohshëm qeverisës të quajtur Bordi i Paqes (BoP), i cili do të mbikëqyrte qeverisjen nga një komitet palestinez teknokrat, jopolitik dhe do të monitoronte rindërtimin e Gazës dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Financimi për rindërtimin e Gazës pas dy viteve luftë do të vinte nga një fond besimi i mbështetur nga Banka Botërore, sipas rezolutës.

Sipas saj, si ISF, ashtu edhe BoP, do të punonin së bashku me një komitet dhe një forcë policie palestineze.

Trump e quajti votimin e Këshillit të Sigurimit “historik” dhe tha se ishte një mënyrë për të “njohur dhe mbështetur” BoP, anëtarët përfundimtarë të të cilit do të shpallen së shpejti. Ai pritet të kryesojë këtë bord.

“Ky do të mbahet mend si një nga miratimet më të mëdha në Historinë e Kombeve të Bashkuara, do të sjellë më shumë Paqe në mbarë botën dhe është një moment me vërtet përmasa historike!” shkroi ai në platformën e tij Truth Social.

Ndryshe nga draftet e mëparshme, rezoluta përmend një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze, një gjuhë për të cilën disa anëtarë të këshillit kanë këmbëngulur.

Izraeli e kundërshton fuqishëm krijimin e një shteti palestinez, një pengesë e madhe në rrugën drejt shtetësisë së ardhshme. Disa shtete të rëndësishme arabe kishin ushtruar presion që vetëvendosja palestineze të përfshihej në tekst.

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm theksoi se rezoluta duhej të “përkthehej… në hapa konkrete dhe urgjentisht të nevojshëm në terren” dhe të çonte drejt “një procesi politik për arritjen e zgjidhjes mes dy shteteve”.

SHBA, Autoriteti Palestinez dhe disa vende arabe e me shumicë myslimane, përfshirë Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Turqinë, kanë bërë thirrje për miratimin e shpejtë të rezolutës.

Autoriteti Palestinez tha në një deklaratë se kushtet e rezolutës duhen zbatuar “urgjentisht dhe menjëherë”.

Rusia dhe Kina nuk përdorën veton e tyre, por abstenuan për t’i lejuar rezolutës të kalojë, sepse Autoriteti Palestinez dhe tetë vende të tjera arabe e myslimane e mbështetën atë.

Si Moska, ashtu edhe Pekini e kritikuan rezolutën. Ata thanë se kishte pak qartësi mbi përbërjen e mekanizmave kyç, se nuk siguronte pjesëmarrjen e OKB-së dhe se dështonte të përsëriste qartë një angazhim të fortë për zgjidhjen mes dy shteteve.

Faza fillestare e planit, një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit dhe dorëzimi i pengjeve dhe të ndaluarve, hyri në fuqi më 10 tetor. Waltz e përshkroi atë si një “hap të parë shumë, shumë delikat”.

Plani i paqes i Trump-it pezullon luftimet mes Izraelit dhe Hamasit, që kishin shpërthyer pasi luftëtarët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023. Rreth 1.200 njerëz u vranë dhe 251 u morën peng në atë sulm.

Më shumë se 69.483 palestinezë janë vrarë nga veprimet ushtarake izraelite në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota