Sulmohet eskorta e një zyrtari jemenas, pesë të vrarë
BKT
Rajoni dhe Bota

Sulmohet eskorta e një zyrtari jemenas, pesë të vrarë

M.M./ RTKlive

Të paktën pesë persona u vranë në sulmet që kishin në shënjestër një anëtar të lartë të qeverisë së Jemenit, e njohur ndërkombëtarisht. Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ndërsa zyrtarët kanë nisur një hetim për të identifikuar dhe ndjekur penalisht autorët.

Persona të armatosur qëlluan mbi autokolonën e një udhëheqësi provincial jemenas të hënën, duke vrarë të paktën pesë oficerë sigurie dhe duke plagosur dy të tjerë, sipas autoriteteve.

Sulmi kishte në shënjestër guvernatorin e Taizit, Nabil Shamsan, në një rrugë që lidh qytetin jugperëndimor me pjesën tjetër të vendit, tha zëdhënësi provincial Mohamed Abdel-Rahman. Ai shtoi se dy nga sulmuesit u vranë gjatë përplasjes së armatosur.

Në një deklaratë, zyra e guvernatorit tha se forcat e sigurisë dhe ushtria po punojnë për të sjellë para drejtësisë ata që qëndrojnë pas sulmit. Asnjë grup deri tani nuk ka marrë përgjegjësinë, raporton euronews.

Kryeqendra e provincës, e quajtur gjithashtu Taiz, ka qenë një fushëbetejë ku rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani dhe milicitë e mbështetura nga partia islamiste ‘Islah’ luftojnë kundër njëra-tjetrës, si dhe kundër fraksioneve të tjera të përfshira në luftën civile të Jemenit.

Që nga viti 2016, Taizi ka qenë nën bllokadën e Houthive si pjesë e luftës së tyre kundër qeverisë jemene ndërkombëtarisht të njohur.

Lufta brutale civile në vend nisi në vitin 2014, kur rebelët Houthi u nisën nga bastioni i tyre verior në provincën Saada dhe detyruan qeverinë, e njohur ndërkombëtarisht, të arratisej.

Një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite, që përfshinte edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, u përfshi në luftë një vit më vonë, në përpjekje për të rikthyer qeverinë e mërguar.

Lufta ka qenë e ngrirë vitet e fundit, pasi Houthit arritën një marrëveshje me Arabinë Saudite, me të cilën u pajtuan të ndalonin sulmet ndërkufitare ndaj mbretërisë, në këmbim që Rijadi dhe aleatët e saj të ndalonin bombardimet në territoret e kontrolluara prej tyre.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota