Shefi i NATO-s: Nevojitet më shumë punë për propozimin amerikan të paqes
M.M./ RTKlive
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se korniza amerikane për paqen në Ukrainë përmban disa elemente premtuese, por se ende kërkon raunde të mëtejshme diplomacie.
Rutte i përshkroi si produktive takimet e mbajtura të dielën në Gjenevë mes delegacioneve të SHBA-së, Ukrainës dhe vendeve evropiane, ku u diskutua një plan me 28 pika, i propozuar nga administrata e Trump-it.
Megjithatë, ai tha se këto bisedime ishin vetëm një hap i parë drejt bisedimeve të strukturuara SHBA-Ukrainë, raporton DW.
Komentet e Rutte për grupin mediatik gjerman RND dhe gazetën spanjolle El Pais vijnë në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se vetëm disa pika të planit mbeten ende të kontestuara, raporton DW.
Por, zyrtarë nga Kievi dhe kryeqytete të tjera evropiane kanë thënë se plani i favorizon në masë të madhe kërkesat ruse, pasi parashikon lëshime të mëdha territoriale, të cilat sipas tyre do të përbënin një shpërblim për agresionin ushtarak të Moskës.
Rutte, po ashtu, tha se Rusia humb rreth 20 mijë ushtarë çdo muaj, ndërsa fiton shumë pak territore, me rreth 1 milion trupa ruse të vrarë ose të plagosur rëndë që nga nisja e pushtimit të plotë në shkurt të vitit 2022.
Ai shtoi se Moska këtë vit ka pushtuar vetëm rreth 1% të territorit të Ukrainës, duke avancuar vetëm disa metra në ditë.























