Francë, arrestohen katër persona nën akuzën për spiunazh për Rusinë
M.M./ RTKlive
Autoritetet franceze kanë ndaluar tre persona, përfshirë dy shtetas rusë, derisa të katërtin kanë vendosur nën mbikëqyrje gjyqësore, në kuadër të një hetimi për spiunazh në favor të një shteti të huaj, njoftuan prokurorët në Paris të mërkurën.
Agjencia franceze e lajmeve AFP raportoi se personat janë arrestuar nën dyshimet për spiunazh për Rusinë dhe për promovim të propagandës ruse të luftës.
Hetimi është përqendruar te organizata SOS Donbass, një shoqatë franko-ruse që dyshohet se ka përhapur propagandë pro-Moskës dhe ka tentuar të sigurojë informacione të ndjeshme ekonomike.
SOS Donbass paraqitet si organizatë humanitare që ofron ndihmë për njerëzit në rajonin lindor të Donbasit në Ukrainë, pjesërisht nën kontrollin e Moskës.
Të arrestuarit përfshijnë udhëheqësen e grupit, një grua 40-vjeçare e lindur në Rusi, një burrë rus, 40-vjeçar dhe një francez 63-vjeçar. I dyshuari i katërt, 58 vjeç, është vendosur nën mbikëqyrje dhe është urdhëruar të paraqitet një herë në javë në stacionin e policisë.
Në Francë, vepra penale e “bashkëpunimit me një shtet të huaj” dënohet me deri në 10 vjet burg.
Arrestimet vijnë në një kohë kur Evropa po rrit vigjilencën ndaj operacioneve të dyshuara të ndikimit rus, në sfondin e luftës në Ukrainë.























