Izraeli kthen 15 trupa të tjerë palestinezësh në Gaza
BKT
Rajoni dhe Bota

Izraeli kthen 15 trupa të tjerë palestinezësh në Gaza

M.M/ RTKlive

Izraeli dorëzoi trupat e 15 palestinezëve të mërkurën, një ditë pasi Hamasi ktheu mbetjet e një pengu izraelit. Ky është shkëmbimi më i fundit në kuadër të një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA muajin e kaluar, faza e parë e të cilit po përfundon, edhe pse dhuna vazhdon në territoret palestineze.

Mbetjet e dy pengjeve, një izraeliti dhe një shtetasi tajlandez që u rrëmbyen gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit, që ndezi luftën, ende nuk janë kthyer, raporton AP.

Hamasi tha se është i përkushtuar t’i dorëzojë ato, edhe pse rikuperimi është bërë i vështirë nga shkatërrimi i gjerë në Gaza, ndërsa Izraeli ka akuzuar militantët se po zvarrisin procesin pasi pengjet e fundit të gjallë u liruan më 13 tetor gjatë fazës më urgjente të armëpushimit.

Ndërmjetës nga Turqia, Katari dhe Egjipti u takuan në Kajro të martën për të diskutuar fazën e dytë të armëpushimit.

Kjo pritet të përfshijë vendosjen e një Force Ndërkombëtare të Stabilizimit të armatosur, e ngarkuar me sigurimin e çarmatosjes së Hamasit, një kërkesë kyçe e Izraelit, si dhe zhvillimin e një organi ndërkombëtar për të qeverisur Gazën dhe mbikëqyrur rindërtimin.

Ndërkaq pyetje të mëdha mbeten pothuajse për çdo pjesë të planit dhe afatit kohor për zbatimin e armëpushimit të brishtë që ka qëndruar në fuqi, pavarësisht akuzave për shkelje nga të dyja palët.

Ndërkohë, ushtria e Izraelit tha të mërkurën se kreu sulme ajrore dhe një “operacion të gjerë kundër terrorizmit” në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Ajo tha se operacioni pasoi vrasjen e “tre terroristëve që morën pjesë në sulme terroriste kundër ushtarëve të IDF-së dhe civilëve izraelitë.”


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota